Bogdani dhe Kapllani, trajnerët kundër Hanit
Jetmir Halilaj
Ish-trajnerët e Kombëtares shqiptare janë të përçarë për sa i përket lënies jashtë të dy sulmuesve, Erjon Bog-danit dhe Edmond Kapllanit. Tekniku shkodran, Medin Zhega që e ka drejtuar skuadrën kuqezi nga 6 shkurti i vitit 2000 deri më 6 qershor të vitit 2001, i jep të drejtë Ari Hanit për zgjedhjet që ka bërë, pasi dy sulmuesit nuk janë aktivizuar rregullisht gjatë këtij sezoni. "Mendoj se Ari Hani nuk mund të kritikohet për zgjedhjet që ka bërë. Bogdani dhe Kapllani nuk janë aktivizuar gjatë këtij sezoni dhe ai e ka pasur të vështirë t'i shohë dhe të krijojë një ide të qartë për formën e tyre. Të dy së bashku kanë shënuar një gol dhe kjo është shumë pak. Megjithatë, duhet pranuar fakti se të dy lojtarët stërviten në skuadra të rëndësishme dhe luajnë në kampionatet elitare të Evropës dhe me kombëtaren mund të bëjnë diferencën", ka thënë Zhega për "Panorama Sport".
Kundër Hanit
Sulejman Demollari, ish-tekniku i kuqezinjve në periudhën (01.09.2001-17.04.2002), e ka quajtur të çuditshëm vendimin e Ari Hanit për të lënë jashtë Bogdanin e Kapllanin. "Bogdani vjen pas një goli të rëndësishëm dhe po tregon se është rikthyer në formë. Ai është një lojtar me peshë, që arrin të bëjë repart i vetëm. Nëse Hani i referohet paraqitjes së tij me Maltën, edhe kjo nuk është e drejtë, sepse në atë takim, e gjithë skuadra shqiptare u paraqit dobët. Personalisht më duket e çuditshme kjo zgjedhje dhe mendoj se të paktën Bogdani duhej të ishte i grumbulluar", ka thënë Demollari. Në të njëjtën linjë është edhe ish-asistenti i Oto Bariçit, Shpëtim Duro. Ky i fundit ka thënë se Shqipëria nuk e ka luksin që të lërë jashtë lojtarë si Bogdani, Kapllani apo Hyka. "Vërtet nuk kanë shkëlqyer në këtë sezon, por Bogdani, Kapllani dhe Hyka stërviten në skuadra shumë të forta. Shqipëria nuk e ka luksin të privohet nga këta futbollistë. Ata janë futbollistë me peshë dhe duhet kujtuar se kundër Suedisë dhe Maltës, Shqipëria mori katër pikë duke pasur në fushë Bogdanin e Hykën. Kapllani gjithashtu është një alternativë shumë e mirë për sulmin dhe gjithnjë i ka ecur me Kombëtaren. Mendoj se këta lojtarë duhet të ishin. Sa për Memellin, më vjen mirë që e ka grumbulluar, sepse e meriton", është shprehur Duro. Ndërkaq, ish tekniku i kuqezinjve, Astrit Hafizi, i cili e ka drejtuar kombëtaren gjatë periudhës (09.11.1996-09.10.1999) nuk ka dashur të komentojë zgjedhjet e trajnerit holandez. "Nuk mendoj se është mirë të komentoj zgjedhjet e Ari Hanit. Ai e di mirë se çfarë bën dhe mban përgjegjësi për çdo gjë. Vetëm pas ndeshjes mund të jap një vlerësim për zgjedhjet e tij", ka thënë Hafizi.