E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reportazh, shënohet 11-Vjetori i Masakrës së Reçakut

Prishtinë, 15 janar NOA - Në rrugën
magjistrale Prishtinë-Prizren, rrugë kjo që lidh dy qytetet më të mëdha të
Republikës së Kosovës, gjendet fshati Reçak, i cili ka larg vetëm 2 km komunën
e Shtimes. Ky fshat u bë i njohur në botë për masakrën që forcat çetnike të
Millosheviqit zhvilluan mbi popullatën shqiptare.

Tanimë për nderë të të rënëve për lirinë e
shtetit të Kosovës, është ndërtuar Kompleksi Përkujtimor i cili mban emrin
Masakra e Reçakut.

Tash kur e kemi shtetin tonë të Kosovës edhe
Reçaku frymon lirshëm,ky fshat po ecën përpara pasi çdo ditë po ndërtohet,
njerëzit ju kanë kthyer normalitetit, nxënësit shkojnë në shkollë, shprehen
banorët e Reçakut. Por edhe sot e kësaj dite banorët e këtij fshati dhe të
gjithë Kosovës e kanë të freskët tragjedinë që forcat serbe ushtruan mbi
popullin shqiptarë, duke i masakruar ata, gjë që edhe botën e kishin tronditur
veprimet çnjerëzore që çetnikët serb i kishin bërë popullit shqiptarë.

Vitet po kalojnë dhe tash kur po shënohet 11-vjetori
i Masakrës së Reçakut, kanë filluar aktivitete të ndryshme për shënimin e kësaj
date të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

I gjithë ky manifestim përkujtimor po mbahet
nën patronazhin e Komunës së Shtimes, e cila tashmë këtë datë e ka shpallur si
datë të rëndësisë së veçantë.

Pikërisht më 15 janar 2010 bëhen njëmbëdhjetë
vjet që kur forcat çetnike serbe masakruan banorët shqiptarë të fshatit Reçak.
Në 11-Vjetorin e kësaj dite janë paraparë aktivitete të ndryshme, ku të premten
nga ora 9:00 deri në 11:30 do të bëhen homazhe dhe vendosje e kurorave dhe
buqetave me lule në varrezat e Kompleksit Përkujtimor në Reçak, prej orës 12:00
deri në 12:50 do të mbahet një orë përkujtimore në ambientet e Shkollës së
Mesme në Shtime. Po ashtu do tu bëhen edhe vizita familjarëve të të rënëve,
ndërsa ata që i mbijetuan kësaj masakre do të tregojnë se çfarë masakre bëri
Serbia ndaj popullit shqiptarë.

Hajdin Islami/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›