E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosja shpërndan fletushka me sloganin, Në Kosovë nuk ka drejtësi

Prishtinë, 15 janar NOA - Institucionet e
Kosovës po kremtonin sot sundimi i ligjit në Kosovë, në Sallën Kuqe të
Pallatit të Rinisë kur janë përballur me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosja të
cilët ndërmorën një aksion simbolik për të treguar se në Kosovë nuk ka fare
drejtësi.

Aktivistët e Lëvizjes mbajtën parulla të ndryshme
ndërsa hodhën masivisht fletushka në të cilat shkruhej Në Kosovë nuk ka Drejtësi!.

Organizatorët e manifestimit si dhe anëtarët
e sigurimit intervenuan dhunshëm dhe i nxorën një pjesë të aktivistëve tanë nga
salla. Aktivistët e tjerë, në shenjë protestuese reaguan duke fishkëllyer me
pipa dhe më pas u larguan dhunshëm nga Policia e Kosovës.

Ky intervenim ishte edhe një shembull më tepër
se si drejtësia në Kosovë i ka dy fytyra. Ajo është policore në raport me
qytetarët e Kosovës kurse, toleruese në raport me shkelësit e vërtetë të
ligjit: strukturat paralele të Serbisë, politikanët e korruptuar, etj thuhej në
deklaratën e lëvizjes Vetëvendosja e lëshuar sot në mesditë.

Sipas kësaj lëvizjeje, organizimi i një
manifestimi të tillë për kremtimin e të ashtuquajturit sundim të ligjit është
pjesë e projektit të këtij sistemi politik që për qëllim ka krijimin e
iluzionit tek qytetarët e Kosovës se çdo gjë është në rregull, kurse krejt çfarë
ka mbetur është të kremtohet.

Ky iluzion është i papranueshëm kur jemi
dëshmitarë se çdo ditë, qytetarit të këtij vendi i shkelen edhe të drejtat më
themelore thuhej më tej në deklaratën e lëvizjes.

Më poshtë i keni fjalitë që ishin të shkruara
në parullat që u mbajtën nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosja gjatë këtij
manifestimi:

Drejtësia në Kosovë ka dështuar tërësisht. Në
Kosovë nuk ka drejtësi, por padrejtësi. Pa-drejtësia është mungesa e
drejtësisë.

Nuk ka drejtësi për ata që kanë vrarë,
dhunuar, keqtrajtuar e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë. Kriminelët ende
enden të lirë edhe brenda Kosovës. Emrat dihen.

Nuk ka qetësi për familjet e të pagjeturve.
1,800 të rrëmbyer shqiptarë ende i mban Serbia. Përgjegjësit dihen. 

Nuk ka drejtësi për ata që e shkelin ligjin.
Askush nuk është prekur nga strukturat paralele. Ato veprojnë lirshëm kundër
Kosovës sipas ligjit të Serbisë. Emrat dihen.

Nuk ka drejtësi për hajninë, pasurimin e
paligjshëm, korrupsionin, krimin e organizuar politik e ekonomik të
politikanëve të lartë të Kosovës. Emrat dihen.

Nuk ka drejtësi për kriminelët ndërkombëtarë:
ata kanë imunitet. Vrasësit e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt u kthyen pa u
ndëshkuar në Rumani.

Emrat dihen.

Nuk ka drejtësi për korrupsionin ndërkombëtar
në Postë, Aeroport.

Hajnat ndërkombëtarë kanë imunitet prej ligjit
i cili vlen veç për ne. Emrat dihen.

Nuk ka drejtësi të pavarur. Ajo është politike
dhe në shërbim të pushtetit e Qeverisë, e jo në shërbim të drejtësisë. Kur e ka
hetuar drejtësia jonë ndonjë politikan të lartë? Kurrë.

Nuk ekziston një sistem unik i drejtësisë në
Kosovë. Diku zbatohet Plani i Ahtisaarit dhe ligjet e tij. Kurse në veri dhe
enklava zbatohen ligjet e Serbisë.

Dysia është dyfytyrësi.

Nuk ka gjykata të Kosovës në veri dhe enklava,
por vetëm të Serbisë.

Serbia emëroi gjykatësit dhe prokurorët për
veri dhe enklava. Politikanët tanë po e festojnë ditën e ligjit

Pas nënshkrimit të Protokollit për Policinë me
Serbinë, EULEX-i ka paralajmëruar nënshkrimin e një protokolli tjetër me
Serbinë për drejtësinë.

Politikanët tanë po flenë. 

Nuk ka funksionim të drejtësisë. Qindramijëra
lëndë të pazgjidhura e bëjnë sistemin e drejtësisë në Kosovë të jetë shumë vite
larg efikasitetit. Përgjegjësit dihen.

Ndërkaq, në faqen tjetër mund ti gjeni disa
fotografi nga ky aksion.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›