E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reps, helmim masiv në kampin e punëtorëve

• MIRDITE – Helmim masiv nga ushqimi në kampin e punëtorëve që ndërtojnë segmentin Rrëshen-Kalimash të autostradës Durrës-Morin.

Burime nga brenda kampit të vendosur në Reps pohojnë se rreth 100 punonjës, shqiptarë dhe turq kanë shfaqur mesditën e së enjtes shenjat e një helmimi nga ushqimi menjëherë sapo kanë përfunduar drekën në mensën e përbashkët. Në menunë e ditës përfshihej mishi i viçit, tek cilësia e të cilit kanë dyshuar pjesa më e madhe e të prekurve nga helmimi. Sipas tyre, sapo kanë përfunduar drekën u janë shfaqur shenjat e para, si: diarre, të vjella e marrje mendsh. Me shpejtësi ka vepruar ekipi mjekësor i instaluar në kampin e punëtorëve të firmës “Bechtel-Enka”, të cilët kanë përballuar me barnat e nevojshme emergjencën e krijuar. Ngjarjen e ndodhur në kamp e kanë bërë të ditur vetë punëtorët shqiptarë, banorë të Mirditës e Kukësit. Ndërkohë, të pyetur për këtë rast, mjekët e spitaleve të qyteteve të Rrëshenit apo Laçit kanë pohuar se nuk janë lajmëruar nga drejtuesit e firmave për të ndihmuar të sëmurët. Ditën e djeshme, punëtorët i janë rikthyer detyrave të tyre, në gjendje të përmirësuar, pavarësisht orëve të kaluara. Deri dje, në kamp nuk ka pasur asnjë kontroll nga ana e specialistëve të Shëndetit Parësor në rreth, ndërsa pritet që ai të zhvillohet në ditët e ardhshme, për të shmangur një përsëritje të situatës së krijuar gjatë të enjtes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›