Republika e Shqipërisë vendos marrëdhënie diplomatike me Principatën e Monakos
Më 24 nëntor 2011, në Paris, u zhvillua ceremonia zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos. Në emër të qeverisë shqiptare, Deklarata e Përbashkët e marrëdhënieve diplomatike, u firmos nga Ambasadori i RSH-së në Francë, Ylljet Aliçka dhe në emër të Principatës së Monakos nga Ambasadorja e Principatës së Monakos, në Paris, Sophie Thevenoux. Në deklaratën e Përbashkët thuhet se, qeveritë e të dy vendeve vendosën lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, nisur nga dëshira për nxitjen e mirëkuptimit të përbashkët, forcimit të miqësisë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Ylljet Aliçka në këtë ceremoni theksoi se Shqipëria ka shumë për të përfituar nga arritjet e Principatës së Monakos në fushën e inovacionit, teknologjisë, shërbimeve bankare, telekomunikacionit e turizmit. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve shënon një datë historike. Dy palët ranë dakord se prioritare në këto marrëdhënie do të jetë bashkëpunimi ekonomik. Monako është vendi i 177-të, me të cilin Shqipëria vendos marrëdhënie diplomatike.
...