“Fillim i rëndësishëm, pozitiv dhe dinjitoz i punës së komisionit për reformën zgjedhore”

Kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, i cili e ndoqi nga afër mbledhjen e parë të komisionit të reformës zgjedhore, e vlerësoi atë një fillim të mbarë të punës për realizimin e ligjit të ri elektoral. Sipas ambasadorit Wollfarth, komisioni për reformën zgjedhore, është i rëndësishëm për ecurinë e vendit, ndërsa vlerësoi se prezenca e OSBE-së në Shqipëri, është e gatshme të japë mbështetjen e saj për realizimin e reformës zgjedhore. “Ishte një fillim i rëndësishëm, shumë pozitiv dhe dinjitoz i punës së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Zonja Kryetare e Kuvendit e bëri shumë të qartë në fillim të këtij takimi se komisioni i posaçëm parlamentar që filloi punë sot do të ketë në dispozicion gjithë ndihmën e nevojshme nga Administrata e Kuvendit dhe nga Sekretariati i tij. Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm, anëtarët e këtij komisioni, si dhe ekspertët teknikë të sapoemëruar prej tij duhen përgëzuar për besimin që gëzojnë nga partitë e tyre, qoftë nga lidershipi dhe mbështetësit e këtyre të fundit, për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm për përmirësimin e kodit zgjedhor. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i e kanë pritur me padurim këtë ditë të konstituimit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Është një pikënisje e rëndësishme, e cila për fat përkon me këtë javë të rëndësishme të Ditës së Pavarësisë dhe Ditës së Çlirimit, dhe meqenëse zgjedhjet përbëjnë një element thelbësor të demokracisë është një gjë shumë e mirë që kjo gjë po ndodh menjëherë pas këtyre dy datave të rëndësishme për vendin. Në fakt, orientimet më kryesore, më të rëndësishme tashmë janë shprehur qartë në dy raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe zgjidhjet vendore të këtij viti, 2011. Kështu që ka tashmë orientime të mira për të punuar së bashku, duke shpresuar se do t’i shohim rezultat e para në fillim të vitit të ardhshëm. Personalisht, dëshiroj të shtoj se ndjeva sot në sallë një frymë të madhe gatishmërie për të bashkëpunuar dhe për të ecur përpara për të mirën e vendit, dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i mbeten gjithmonë të gatshëm për të ofruar mbështetjen tonë me ekspertizë shtesë kurdoherë që të na kërkohet gjatë këtij procesi. Pra, me pak fjalë unë do ta përmblidhja: është një fillim i rëndësishëm, i cili e kthen të sotmen në një ditë që shpresojmë se do ta çojë përpara vendin. U uroj të kenë dorë të mbarë bashkëkryetarëve dhe anëtarëve të komitetit të posaçëm, si dhe grupit të ekspertëve teknikë të sapoemëruar, dhe siç e thashë më herët, e përsëris, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për të dhënë mbështetjen e saj sa herë që të jetë nevoja”, u shpreh Wollfarth. Ai vlerësoi gjithashtu se gjatë diskutimeve të para në komisionin e reformës, mbizotëron një shenjë besimi mes palëve, e cila sipas tij, është një vullnet i mirë politik. “Në fakt, siç e thashë e rëndësishme është që ata flasin; e rëndësishme është që ata ndërtojnë, zhvillojnë besimin tek njëri-tjetri, dhe siç thashë edhe më herët unë pashë një vullnet të mirë. Dhe aty ku ka vullnet të mirë, ka edhe një rrugë për të shkuar drejt një konsensusi. Natyrisht, gjërat duhen zhvilluar, duhen hartuar projekt-ndryshimet, punë që tashmë ka filluar dhe unë kam besim se ajo do të funksionojë”, tha më tej ambasadori Wollfarth.
...