E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Akuzat e ulëta nga zëdhënës i xhelozisë dhe mllefit të Edi Ramës, s’do pengojnë zbukurimin e Tiranës”

01-12-2011 / Gazeta 55

Bashkia e Tiranës padit në gjykatë për shpifje kryekëshilltarin socialist Aldrin Dalipi Nëpërmjet një komunikimi për mediat, Bashkia e Tiranës ka falënderuar qytetarët e Tiranës, Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare, që pa dallim bindjesh politike u bashkuan në Tiranë për të festuar si kurrë më parë ditën më të rëndësishme të historisë kombëtare. Zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha bëri të ditur dje në një komunikim për mediat se, Ditën e Flamurit, më 28 nëntor, Tirana është vizituar nga 1536 qytetarë nga Kosova, 702 shqiptarë nga Maqedonia dhe 184 nga Mali i Zi. Por, zëdhënësja e Bashkisë kujtoi se kjo ditë e çmuar për mbarë kombin shqiptar, po përballet me hilen e vjetër të Ramës, atë të përçarjes - i cili është xheloz për atmosferën festive që mbizotëron në kryeqytetit shqiptar, pas 11 vitesh skëterrë. Zëdhënësja Bisha hodhi poshtë akuzat e anëtarit socialist në këshillin bashkiak, Aldrin Dalipi, dhe duke paralajmëruar ngritjen e një padie në gjykatë për shpifje. “Fatkeqësisht kjo frymë festë dhe bashkimi po përballet me avazin e vjetër të përçarjes dhe konfliktit politik që Edi Rama i verbuar nga xhelozia për atmosferën në Tiranë, ju rikthye sërish dhe zhgënjyeshëm. Akuzat absurde dhe qesharake janë thjesht dhe vetëm shpifje që u lëshuan si rrjedhojë e këtij mllefi. Edhe pse zoti Aldrin Dalipi ishte vetëm zëdhënës i xhelozisë dhe mllefit të zotit Rama, e informojmë se ndaj tij do të depozitojmë në Gjykatë një padi për shpifje”, u shpreh zëdhënësja e bashkisë së Tiranës, Anila Bisha. Në përfundim, ajo i siguroi qytetarët se këto akuza qesharake nuk do të pengojnë aspak përgatitjet e Bashkisë për t’i dhënë Tiranës një atmosferë të veçantë festive në këtë fund viti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›