Berisha: Gorbaçov hapi një epokë të re lirie për Europën dhe Botën

Kryeministri takon presidentin e fundit të ish-Bashkimit Sovjetik Kryeministri Sali Berisha takoi dje Presidentin e fundit të Bashkimit Sovjetik Mihail Gorbaçov, i cili ndodhet në Shqipëri si i ftuar nderi në Kampionatin Botëror të Shahut për Femra, që po zhvillohet në Tiranë. Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen e përzemërt në Shqipëri, i shprehu Presidentit Gorbaçov vlerësimin më të lartë të tij personal dhe të popullit shqiptar si një ndër “personalitetet ndërkombëtare më popullore në Shqipëri”, i cili duke udhëhequr një kurs reformash në një kohë të vështirë e të rrezikshme, “hapi një epokë të re lirie jo vetëm për popujt e Bashkimit Sovjetik, por për të gjithë Europën e botën. Ndër vendet e kombet ish-komuniste, tha Kryeministri, shqiptarët kanë ndjekur me admirim e vëmendje të madhe të gjitha lëvizjet tuaja, të cilat kanë pasur rëndësi historike për nxjerrjen e këtyre popujve nga diktatura”. Duke e konsideruar Gorbaçov “kurajë e shekullit të shkuar”, Kryeministri tha se qëndrimin e tij ndaj murit të Berlinit dhe mesazhin që i dha udhëheqjes së Europës Lindore, nuk do ta harrojnë kombet e Europës dhe veçanërisht, Shqipëria, e cila njohu regjimin më të egër komunist diktatorial se çdo vend tjetër. “Midis nomenklaturës dhe popullit, theksoi Kryeministri, ju zgjodhët popullin”. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, shqiptarët sot ndjehen krenarë që nga vendi i hiperkolektivizimit total, ekonomisë së rrënuar, investimeve të huaja të ndaluara, me të ardhura për frymë 204 dollarë në vitin 1992 dhe papunësisë 80 për qind, është sot vendi që ka pësuar ndryshime rrënjësore, me të ardhura për frymë 8000 dollarë, me rritje 316 për qind të investimeve të huaja, me një ekonomi reale që i rezistoi recesionit. Presidenti Gorbaçov shprehu kënaqësinë që vizitonte Shqipërinë, duke theksuar se dëshira për të vizituar Shqipërinë ka qenë e hershme. “Unë jua kam pasur shqiptarëve borxh këtë vizitë dhe tani e shleva atë”, theksoi zoti Gorbaçov. Ai u shpreh se ndjehej i prekur nga mikpritja që i është rezervuar dhe vlerësimet e Kryeministrit dhe shqiptarëve. Gorbaçov e përgëzoi Kryeministrin për arritjet e Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe i shprehu Kryeministrit vlerësimin për kontributin në jetën politike të vendit dhe transformimin e tij në këto 20 vjet. “Ju jeni një politikan real dhe kjo është e rëndësishme për vendin”, u shpreh Gorbaçov. Në takim ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Botërore të Shahut Kirsan Ilyumzhinov. Topalli Gorbaçov: Ndryshime pozitive në tokën shqiptare/Ish-presidenti i Rusisë, Mikail Gorbaçov, njeriu që ndryshoi botën, i nderuar me Çmimin Nobel për Paqen, u prit dje në takim nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi figurën dhe kontributin e tij të çmuar dhe të padiskutueshëm në përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe erën e ndryshimeve epokale që solli në kontinentin evropian e në botë. “Për Shqipërinë dhe shqiptarët, tha kryetarja e Kuvendit, ju keni qenë një personalitet shumë i rëndësishëm, frymëzues dhe shpresëdhënës për erën e ndryshimeve dhe rënien e Murit të hekurt në Shqipëri”. Presidenti Gorbaçov tha se ndihet shumë i lumtur që iu dha rasti të vijë e të vizitojë Shqipërinë. “Shqipëria, tha kryetarja e Kuvendit, është një vend i vogël por me potenciale të jashtëzakonshme, vend që është transformuar rrënjësisht në një kohë shumë të shkurtër”. Duke rikujtuar bisedat historike me presidentin Regan, presidenti Gorbaçov tregoi mbi përpjekjet kolosale e të vështira për reformim. Presidenti Gorbaçov, i konsideruar një hero për perëndimin, tregoi mbi vështirësitë dhe rreziqet e reformave të ndërmarra prej tij në një kohë shumë të vështirë, si Gllasnost (Transparenca), Perestrojka (Ristrukturimi), Uskorenie (Përshpejtimi). Këto reforma me rëndësi historike ndryshuan botën. Këto reforma shmangën luftën dhe gjakderdhjen që do të ishte “një e keqe e pandreqshme”, siç u shpreh Presidenti Gorbaçov. Në përfundim të takimit, në Librin e Shënimeve, Presidenti Gorbaçov shkroi: “Falënderoj presidenten e Parlamentit, Jozefina Topalli për pritjen që më bëri. Shpreh ndjenjat më të përzemërta popullit shqiptar dhe urimet më të mira për ndryshime pozitive në tokën shqiptare”.
...