E Diel, 1 Nëntor 2026

Republikanët dorëzohen, takim post-mortum

Krerët më të lartë të Partisë Republikane po planifikojnë së shpejti një takim të jashtëzakonshëm në një zonë rurale të Virxhinias, për të diskutuar masat që duhen marrë për rimëkëmbjen e partisë, të shtyrë nga ideja gjithnjë e më e prekshme se do humbasin rëndë si në garën për në Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe në atë për vendet në Kongres.

Fjalët për takimin u përhapën menjëherë, pasi një sondazh në Arizona tregoi se MekKeini mund të humbiste edhe në këtë shtet, i cili është edhe vendlindja e 72-vjeçarit. Detajet e takimit që do të zhvillohet javën e parë pas zgjedhjeve, ku do të marrin pjesë figura të larta shtetërore dhe aktivistë me peshë të krahut konservator të partisë, mbahen sekret, pasi, sipas tyre, do përkeqësonin edhe më tej ecurinë e fushatës së MekKeinit.

Në qendër të mbledhjes, Sara Peilin

Mësohet se në takim do të diskutohet për njeriun që do të marrë në dorë frerët e partisë, nëse ajo duhet të kthehet djathtas, si dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Megjithëse nuk do të jetë e pranishme në atë takim, Sara Peilin do të jetë në qendër të debateve lidhur me të ardhmen e Partisë Republikane. "Ka të bëjë me drejtimin që do marrë partia, përpjekjet proverbiale për shpirtin partiak", tha dje Norm Ornstein, analist në Institutin e Sipërmarrjes Amerikane, institucion me seli në Uashington dhe që konsiderohet si shtëpia e neokonservatorëve. "Do të shqyrtohen 1 milion post-mortum-e, e do të tregohen me gisht shumë fajtorë. E pazakonta qëndron te fakti se gishti ka nisur të drejtohet që pa mbaruar fushata elektorale".

Bill Klinton, përkrah Obamës

Nga shumë u konsiderua kalim i trashëgimisë. I fundmit ndër presidentët demokratë që i transmeton trashëgiminë princit të ri, i cili, të martën e ardhshme, mund të hyjë në histori. Duke hedhur përgjithnjë pas krahëve polemikat e shijen e hidhur të krijuar gjatë fazës primare të zgjedhjeve, Barak Obama dhe Bill Klinton u ofruan përkrahësve të partisë së tyre dhe amerikanëve një provë harmonie e frymë uniteti partiak.

Shfaqja së bashku në Kisimi të Floridës ishte e para gjatë gjithë fushatës elektorale. Përpara mijëra njerëzve, gjatë një mbrëmjeje të ftohtë e të lagësht, Obama dhe Bill Klinton nuk ia kursyen njëri-tjetrit lëvdatat e ndërsjella, por, mbi të gjitha, arritën të krijonin së bashku një atmosferë mjaft të frytshme anti-MekKein.

Maratona elektorale

"Barak Obama është ardhmëria e Amerikës dhe pas gjashtë ditësh duhet ta pranoni e të bashkoheni me të", tha Klinton. "Në rast se e keni harruar, ja se ç‘do të thotë të keni një president të madh", ia ktheu nderin Obama, për t‘u shoqëruar nga brohoritje të nxehta nga turma. Për kanditatin demokrat, ishte edhe mbyllja e një prej ditëve më ambicioze dhe njëherësh më të lodhshme të së gjithë maratonës së tij elektorale. Në harkun e pak orëve, Obama u detyrua të përballej me një aktivitet tepër të etshëm zgjedhor. Ai u bë protagonist i një filmi me metrazh të shkurtër (30- minutësh), i transmetuar njëkohësisht nga tre rrjetet televizive kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kosto më shumë se 5 milionë dollarë. Dha një intervistë të gjatë në rrjetin ABC. Pranoi ftesën në emisionin "Daily Show", pa llogaritur fjalimin që mbajti për më shumë se një orë para 20 mijë të pranishmëve në Sanraiz, gjithnjë në Florida.

Heroi i shtresës së mesme

Në fjalim (i mbajtur pa letër përpara), Bill Klinton përcakton katër arsye për të cilin "Obama duhet të jetë presidenti ynë: zotëron filozofinë e duhur, politikat e duhura, di të marrë një vendim dhe di si ta vërë në jetë". Me të thënë këto fjalë, Klinton ngriti krahun e ish-rivalit të bashkëshortes dhe tha, "Po, ai mundet", duke iu referuar sloganit të fushatës së Obamës.

Barak Obama zhvilloi të njëjtën lojë. Vërejti se ndihej krenar që "mund të konsideroj miq" Billin dhe Hilari Klintonin. Dhe për herë të parë, përmendi në fjalimin e tij të zakonshëm kohët e bukura të Presidentit Klinton "kur u hapën 22 milionë vende të reja pune". "Askush nuk ka luftuar sa Bill Klinton për shtresën e mesme të amerikanëve", vërejti Barak Obama.

Sondazhet e fundit

Më pas, kandidati me ngjyrë u kujtoi rëndësinë që kishin për ata dhe të gjithë amerikanët, ditët e mbetura deri më 4 nëntor: "Pas gjashtë ditësh, do mund të zgjedhim shpresën në vend të frikës, të ardhmen mbi të shkuarën dhe të kthehemi së bashku në një komb e në një popull". Sondazhet e fundit e shfaqin Obamën në avantazh të fortë në shtete me rëndësi kritike si në Ohajo, Kolorado, Virxhinia, Pensilvani, Nju Meksiko e Nju Hemshair. Por, sipas disa sondazheve të tjerë, në nivel kombëtar, shkëputja nga MekKeini është tkurrur disi.

Spoti i pazakontë

Kandidati presidencial iu drejtua amerikanëve përmes një spoti televiziv 30-minutësh, në shtatë televizione amerikane, vetëm gjashtë ditë nga 4 nëntori, i cili u transmetua në kohën kur Obama shfaqej në Florida përballë Bill Klintonit. Filmi u shfaq në tre rrjetet madhore amerikane: CBS, "Fox" dhe "NBC", me kosto 1 milion dollarë secili, ashtu si edhe në televizionet "Univision" (televizion në gjuhën spanjolle), BET, MSNBC dhe "TV One". Në të përfshiheshin intervista të shumta të dhëna nga amerikanë, që tregonin vështirësitë e jetës, ashtu si edhe disa figura të njohura nga biznesi e politika që sqaronin se përse mbështesnin Obamën. Në spot gjenin mjaft hapësirë edhe pjesë të shkëputura nga fushata e Obamës, ku nënvizonte politikat dhe shpaloste sfondin individual. "Nuk do të jem president i përkryer", thoshte Obama në spot. "Por mund t‘ju premtoj këtë: Do t‘ju them gjithnjë atë që mendoj dhe çfarë besoj". Dokumentari përfundonte me fjalët që Obama thoshte përpara një turme njerëzish në Florida, ku i nxiste të pranishmit të vazhdonin ta mbështesnin në këto ditë të fundit të fushatës.

Ekspertë të shumtë vërejtën që, ndërsa nuk është e padëgjuar që politikanë amerikanë të blejnë hapësira të mëdha kohore nëpër televizione, siç veproi milioneri Ros Perot, në vitin 1992, veprimi i Obamës është i paprecedent, për shkak të qëllimit për të cilin u ble hapësira. Vetëm një prej rrjeteve të mëdha televizive amerikane, ABC nuk e transmetoi filmin, ndërkohë që "Fox News" vendosi të shtyjë fillimin e transmetimeve të një evenimenti të rëndësishëm sportiv, për t‘i krijuar spotit 30- minutësh hapësirë në programacion. Xhon MekKeini e konsideroi filmin "një produkt komercial i lehtë e me nota ledhatuese, por sa do t‘u hyjë në punë amerikanëve?".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›