E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen në shqip "Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945"

Thomas e Heinrich Mann, Franz Kafka, Gottfried Benn, Josef Roth, Bertolt Brecht etj., janë disa prej autorëve të cilët vijnë në antologjinë "Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945". Ata janë përzgjedhur prej përkthyesit Ardian Klosi dhe specialistit të letërsisë gjermane, Jurgen Rohling, për të sjellë një pasqyrë të plotë të prozës më të mirë gjermane të periudhës kur ata jetuan.

Antologjia u prezantua dje në mbrëmje, në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve. Në të janë përmbledhur 28 autorë të letërsisë gjermane të shekullit XX. Ky vëllim vjen pas botimit të një tjetër vëllimi të ngjashëm, "Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-së". Kjo antologji e tregimtarëve gjermanë sjell për lexuesin shkrimtarët e mëdhenj gjermanë të periudhës 1900-1945. Autorët e përzgjedhur janë ata autorë të cilët për një kohë të gjatë u censuruan nga regjimi social-komunist, duke i lënë jashtë njohjes nga lexuesi shqiptar përmes përkthimeve të veprave të tyre. Një pjesë e vogël e tyre arritën të bëheshin të njohur në Shqipërinë e para viteve ‘90, e kjo falë kontributit të shqipëruesit Robert Shvartz. Të tjerët, lexuesi i njohu pak. Të gjithë këta autorë, të cilët janë përmbledhur si në vëllimin e parë, ashtu edhe në të dytin, janë një shkollë më vete për sa i përket mjeshtërisë së tregimit, zbulimit të realiteteve të reja, e njëkohësisht edhe për të zbuluar psikologjinë njerëzore. Tregimet e përfshira në këtë antologji janë përkthyer nga Afrim Koçi, Ardian Klosi, Adhurim Lako, Lindita Arapi, Sonila Sadikaj, Jonila Godole dhe Doreida Kafexhiu. "Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945" u realizua në sajë të shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane, "Robert Schwartz" dhe "Instituti Gëte".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›