E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjitika, miratohet modeli i ri i tregut

Sektori elektro-energjetik në vend do të operojë në bazë të një modeli të ri tregu, miratuar dje në Këshillin e Ministrave. I hartuar me ndihmën e IFC-së, modeli i ri i tregut të energjisë elektrike parashikon që Furnizuesi Publik me Shumicë, që do të kryejë blerjen e energjisë elektrike me shumicë nga të gjithë operatorët e mundshëm, të përfshihet në KESH, ndërsa Furnizuesi Publik me Pakicë do të jetë një strukturë pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), i cili do të ketë funksionin e shitjes së energjisë elektrike te konsumatori i fundit. Sipas propozimit të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, "pjesa që do të privatizohet do të jetë OSSH-ja, e cila do të zotërojë asetet e rrjetit të shpërndarjes dhe do të kryejë shërbimin e shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe Furnizuesi Publik me Pakicë, që ka si detyrë të furnizojë klientët fundorë dhe njëkohësisht të realizojë dhe mbledhjen e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike".

Pagesa e TVSH-së, një vit afat

KESH-i do të privilegjohet për sa i përket pagesës së TVSH-së në doganë për blerjen e pajisjeve dhe makinerive, si dhe energjinë elektrike. Kështu, nga gjashtë muaj që ishte nga kryerja e zhdoganimit, tashmë do të jepet një vit kohë nga çasti i importimit. Ndryshimi i ligjit "Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar" përfshin edhe subjektet private, në funksion të veprimtarisë tyre, për sa u përket makinerive. Kjo do të thotë se, pajisjet ose makineritë që përfshihen në këtë skemë nuk mund të shiten, në rast të kundërt, do t‘u duhet të paguajnë direkt TVSH-në në doganë. Lidhur me KESH-in, ministri Ruli ka sugjeruar disa rekomandime, të cilat janë marrë parasysh nga Ministria e Financave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›