E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, KESH hap portat e hidrocentraleve

22/02/2010 Reshjet e shumta të shiut dhe hapja e portave të liqenit të Ohrit rëndojnë situatën në Shqipëri

Stojku: Situata nën kontroll, do të shmangim përmbytjet. Prodhimi i energjisë arrin në 26 milion kwh

Reshjet e dendura të shiut gjatë këtyre dy ditëve të fundit kanë detyruar Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare të rihapë sërish brenda një kohe të shkurtër portat e liqeneve në kaskadën e lumit Drin. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Muharrem Stojku, situata në hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe të Komanit paraqitet problematike dhe për këtë arsye kanë nisur shkarkimet, ndërkohë që një veprim i tillë nuk ka filluar ende për HEC-in e Fierzës. Për të evituar një përmbytje si ajo që ndodhi në fillim të muajit janar në zonën e Shkodrës, drejtuesit e KESH-it dhe ata të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës kanë marrë të gjitha masat, duke e ndjekur hap pas hapi situatën në liqenet e hidrocentraleve. “Që nga data 18 shkurt kemi mbledhur komisionet e posaçme të KESH e të Ministrisë së Energjetikës për shkarkimet e plotave të mëdha dhe kemi vendosur që nga data 18 të fillojmë shkarkimet në liqenin Vau Dejës e Koman”, deklaroi drejtori i KESH, Muharrem Stojku. Duke parë rritjen e intensitetit të reshjeve gjatë ditës së djeshme, shkarkimet e liqeneve kanë ardhur në rritje. Kjo ka bërë që situata për sa i përket sigurisë së digave të jetë nën kontroll, ndërkohë që vëmendja është përqendruar në mbajtjen nën kontroll të përmbytjeve që mund të ndodhin sërish në zonën e Shkodrës. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp Stojku informoi se nuk kishte të dhëna për fillimin e përmbytjes në fushën e Nënshkodrës, por nënvizoi se mbi të gjitha qëndron siguria e HEC. “Në radhë të parë duhet të shikojmë sigurinë e hidrocentraleve duke i bashkërenduar me mundësinë minimale të përmbytjeve”, deklaroi kreu i KESH-it. Gjithashtu, ai theksoi se i gjithë personeli është në gatishmëri për të mbajtur situatën nën kontroll dhe po prodhohet maksimalisht energji elektrike. “Situata është nën kontroll. Dje është prodhuar maksimalisht deri në 26 mln kilovat orë në ditë. Gatishmëria është maksimale dhe i gjithë personeli është nëpër objekte. Reshjet që po bien do të sjellin anomali, por përmbytja do të jetë e kontrolluar”, përfundoi Stojku. Ndërkohë mësohet se eksporti ditor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare ka vijuar me një sasi prej 10.5 milionë kwh energji. Megjithatë, situata nuk duket shumë optimiste duke pasur parasysh që gjatë dy ditëve të ardhshme do të vazhdojnë reshjet e shirave. Përveç këtij fakti, autoritetet maqedonase kanë hapur portat e liqenit të Ohrit, çka sjellë rritje të lumit Drin dhe si pasojë shtimin e menjëhershëm të prurjeve në liqenin e Fierzës. Vetëm një muaj më parë, Shkodra dhe disa zona të Lezhës u përfshinë nga përmbytjet masive. Për më shumë se dy javë nga KESH u bënë shkarkime të mëdha nga gjithë liqenet e kaskadës së Drinit, deri më 15 janar, datë që shënoi edhe mbylljen e portave të fundit që ishin hapur në Vaun e Dejës.

Situatë alarmante në Koman, vetëm 2,7 m larg maksimales

Liqeni në hidrocentralin e Komanit, duket se ka vëmendjen më të madhe nga ana e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, pasi prurjet në këtë liqen janë të mëdha dhe niveli i tij po arrin maksimalen e lejuar. Burime zyrtare nga KESH-i, bën të ditur dje se në hidrocentralin e Komanit, niveli i ujit ka arritur 172,32 metër nga 175 që është niveli maksimal i lejuar. Kjo sipas tyre nuk vlerësohet ende si situatë shumë alarmante, por kjo nuk do të thotë se nuk paraqet asnjë problem qoftë për sigurinë apo edhe në raport me shkaktimin e përmbytjes së zonës së Shkodrës. Kështu, sipas të dhënave të djeshme, prurjet në këtë hidrocentral arrijnë në 600 m3 ujë në sekondë, ndërkohë që po shkarkohet rreth 350 m3 ujë për sekondë. Duke pasur parasysh shtrirjen që ka liqeni i Komanit, rreziku për mbushjen e tij në nivelin maksimal është më i madh. Kjo pasi shtrirja e tij është shumë herë më e vogël se sa liqeni i Fierzës, çka do të thotë që nëse reshjet si dhe prurjet anësore janë me intensitet të lartë, atëherë ai mund të arrijë nivelin maksimal të lejuar edhe brenda dy orësh.

Situata

Liqeni i Fierzës, asnjë vendim për hapjen e portave

Prurjet e ujit në Hidrocentralin e Fierzës kanë arritur në 1200 m3 në sekondë, ndërsa niveli arriti dje në 291 metër. Fierza është i vetmi hidrocentral, portat e të cilit nuk janë hapur akoma, pavarësisht shtimit të prurjes. Drejtuesit e KESH-it dhe të Ministrisë së Ekonomisë janë duke mbajtur në monitorim të vazhdueshëm situatën në kaskadën e Fierzës, pasi përveç shirave autoritet maqedonase kanë hapur portat e liqenit të Ohrit, çka ka sjellë shtimin e prurjeve nga ana e lumit Drin. Ndryshe nga dy HEC-et e tjerë, ai i Komanit dhe Vau i Dejës, për të hapur portat e liqenit të Fierzës pritet të mblidhet komisioni i posaçëm, i cili do të vendosë më tej për vijimin e procedurave. Ndërsa ndryshe nga Fierza në hidrocentralin e Vaut të Dejës, janë hapur portat dhe kanë filluar shkarkimet. Sipas të dhënave më të fundit, niveli i ujit në këtë liqen është 75,14 metër, pra pak centimetra larg kuotës maksimale prej 76 metrash. Në këtë hidrocentral, prurjet janë rreth 200 m3 në sekondë dhe shkarkohet 500 m3 ujë, kjo do të thotë se shmanget çdo lloj rreziku për sigurinë e digës së tij. Aktualisht nga Korporata bëhet e ditur se nuk ka lindur nevoja e shkarkimeve nga Fierza, por nëse prurjet që shumica vijnë nga Ohri do të jenë të larta, atëherë do të vijohet me shkarkime sipas Rregullores sikundër po bëhet edhe aktualisht. Sipas dokumentit rregullator që zbatohet për kaskadën e Drinit kuotat maksimale të liqeneve janë përkatësisht për Fierzën 295 metra për Komanin 175 metra dhe për Vaun e Dejës 76 metra. Rregullorja sanksionon marrjen e masave për moskalim të këtyre niveleve, duke bërë shkarkime. Të tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit kanë porta shkarkimi. Fierza ka portën 3 dhe 4, Komani gjithashtu ka dy porta shkarkimi, një me numër 3 dhe një me numër 4, kurse Vau i Dejës i ka disa porta tre në Qysaq dy në Zadejë. Situata e krijuar ka ardhur në mënyrë të menjëhershme, si rezultat i hapjes së portave të Drinit nga ana e Maqedonisë, e cila prej ditësh ka vënë alarmin lidhur me fryrjen e tejskajshme të liqenit të Ohrit. Vetëm katër ditë më parë, mediat maqedonase lajmëronin për një tejkalim të nivelit të liqenit me 12 centimetra.

Ministri i Brendshëm monitoron situatën në Shkodër

Hapja e portave, Basha mbledh shtabin e emergjencës

Menjëherë pas hapjes së portave të liqeneve në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atij të Komanit, nën drejtimin e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe drejtorit të Emergjencave Civile, Alfred Olli, u mblodh Shtabi i Emergjencave në prefekturën e Shkodrës. Ky shtab tashmë po merret me monitorimin situatës, e cila pavarësisht se nuk paraqet ende rrezik për banorët e zonës vlerësohet si “dinamike”. Aktualisht, Shtabi i Emergjencave po monitoron orë pas ore situatën në HEC-e në mënyrë që ta përballojë atë me efikasitet të plotë në rast se do të ketë sërish përmbytje. “Nuk kemi sinjalizime për një rrezik të menjëhershëm të një pjese tjetër të zonës. Situata është shumë dinamike. Varet nga një mori faktorësh siç është temperatura, prurjet nga sistemet hidrike brenda dhe jashtë Shqipërisë qofshin ato që ushqejnë Drinin nga Maqedonia qofshin ato që ushqejnë liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi apo lumenjtë e tjerë”, deklaroi ministri Basha. Sipas tij, që shtabi të jetë në gjendje të përballojë situatën me efikasitet të plotë është e domosdoshme që të monitorohet hap pas hapi, orë pas ore çdo ndryshim i situatës duke bërë dhe transparencën e plotë para publikut.

Situata

Aktualisht është dhënë urdhri që të vihet në gatishmëri ushtria, ndërkohë që janë thirrur të gjithë institucionet e agjencitë që kanë bashkëvepruar për të monitoruar situatën e përmbytjeve të fillim janarit, për të pasur vëmendjen e plotë të kësaj situate në zhvillim. Nga ana tjetër, nuk po përjashtohet vendimi për evakuimin e banorëve nëse situata do të përkeqësohet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›