E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 13 kandidatë për kryeprokuror



Trazhgim Sokolaj

Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme pritet të zhvillojë sot mbledhjen e radhës me rend dite votimin e kandidaturave për kryeprokurorin e qytetit të Durrësit, si dhe vendimmarrjen për katër masa disiplinore ndaj prokurorëve të Shkallës së Parë në këtë qytet. Pika e parë e rendit të ditës është përzgjedhja e kandidaturave për drejtuesin e prokurorisë së Durrësit, ku është komanduar përkohësisht Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Bujar Sheshi. Ai mori drejtimin e Prokurorisë së Durrësit me një urdhër të kryeprokurores Ina Rama, pas shkarkimit nga kjo detyrë të ish-prokurorit të rrethit Arjan Ndoja. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Ndoja u gjet me shkelje në detyrë ndërsa kryeprokurorja Ina Rama vendosi shkarkimin e tij. Funksioni i kryeprokurorit të Durrësit mbeti bosh dhe për këtë shkak, kryeprokurorja Ina Rama komandoi përkohësisht në drejtimin e organit të akuzës në këtë qytet, Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Bujar Sheshi. Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme filloi procedurat për emërimin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Durrësit, për të cilën kanë shfaqur interes prokurorë nga i gjithë vendi. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria mësohet se në Këshillin e organit qendror të akuzës, janë depozituar dhe pritet të merren në shqyrtim gjatë mbledhjes së sotme plot 13 kandidatura. Mes tyre mësohet se janë prokurorë të Krimeve të Rënda, prokurorë të Prokurorisë së Shkodrës, Beratit dhe disa rretheve të tjera. Këshilli i Prokurorisë pritet të shqyrtojë sot rast pas rasti kandidaturat dhe në fund me votim, pritet t’i propozojë prokurores së Përgjithshme emërimin e drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit. Një emërim i tillë duhet të bëhet me dekret të kreut të shtetit në rast se kandidati shkon nga një prokurori tjetër, ndërsa nëse kandidati fitues është aktualisht në Prokurorinë e Durrësit, emërimi brenda institucionit bëhet me anë të një urdhri të Prokurores së Përgjithshme. Prokuroria e Durrësit konsiderohet si një nga institucionet më të rëndësishme të akuzës shqiptare pas asaj të Tiranës dhe Krimeve të Rënda për shkak të numrit të popullsisë, figurave të kriminalitetit dhe përqendrimit të veprimtarisë ekonomiko-tregtare në këtë qytet. Prokuroria e Durrësit është drejtuar nga Bujar Shehi prej katër muajsh, derisa paraqitja e kandidaturave u konsiderua e mbyllur në Prokurorinë e Përgjithshme. Tashmë pritet që 13 kandidaturat të diskutohen në Këshillin e Prokurorisë, i cili do të japë mendimin me shumicë votash për Prokuroren e Përgjithshme. Gara pritet të jetë e fortë për shkak të kandidaturave nga Prokuroria e Shkodrës dhe Krimeve të Rënda.

Këshilli vendos për 4 masa disiplinore
TIRANE – Në Këshillin e Prokurorisë janë në proces edhe katër procedime disiplinore ndaj prokurorëve të Durrësit. Drejtoria e Inspektimit dhe Kontrollit e cila zhvilloi një verifikim të punës në Prokurorinë e Durrësit vitin e kaluar ka gjetur shkelje dhe mangësi në detyrë për katër prokurorë. Kjo drejtori i ka propozuar Këshillit fillimin e procedimit disiplinor për katër prokurorët e gjetur me shkelje. Këshilli pritet të vendosë sot me votat e anëtarëve edhe për fatin e katër prokurorëve të Durrësit, dy prej të cilëve pritet të marrin masa të ashpra disiplinore për shkak të kërkesave të ligjit në lidhje me shkeljet dhe abuzimet që u janë gjetur në detyrë. Në raport-kontroll thuhet se në Prokurorinë e Durrësit janë konstatuar mangësi të theksuara në punën hetimore me dosjet penale të hetuara nga organi i akuzës në qytetin bregdetar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›