Reshjet e dëborës, PS i paraqet Kuvendit planin e masave
Ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës në të gjithë territorin e vendit, ka bërë që Partia Socialiste të mbledhë Komisionin e Emergjencës Civile. Në fillim të takimit, kreu opozitar u shpreh se duhet një organizim i shpejtë dhe emergjent, për zgjidhjen e situatës kaotike.
Të thirrur nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, përfaqësuesit e grupit të posaçëm të ngritur për emergjencat në vend, Erion Braçe dhe Arben Malaj, shpalosën masat e PS-së, për nxjerrjen e vendit nga kriza.
PS-ja do ti paraqesë Kuvendit në seancën plenare të së enjtes, planin e veprimit afatshkurtër dhe afatmesëm për daljen nga situata e jashtëzakonshme, për shkak të motit të keq që ka mbuluar vendin.
Duhet një organizim i shpejtë dhe emergjent në kushtet ku strukturat e emergjencës civile në vend kanë degraduar në vend vit pas vitit dhe ku ligji i emergjencave bën të qartë se përgjegjësia në situata të tilla është e qeverisë është shkelur në mënyrë barbare.
Duhet vëmendje edhe për kohën në vijim, ndërkohë që pasi Erion Braçe të bëjë paraqitjen e një sërë masave të menjëhershme dhe Arben Malaj do paraqesë masat aftmesme, ato duhet të jetësohen që sot, deklaroi Rama.
Po të njëjtat shqetësime ka shprehur dhe deputeti Erion Braçe, ndërsa bëri publik dhe planin konkret të masave që propozon opozita për ti ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara nga dëbora.
Në kushtet kur ngjarjet e dy ditëve të fundit dëshmojnë mungesë dramatike të një plani ndërhyrjesh, ne jemi për një ndërhyrje të menjëhershme të qeverisë dhe për mbështetje financiare ndaj atyre banorëve, tha Braçe.
Ja kush është plani i masave:
Identifikimi i kostove të emergjencës për mbajtjen hapur të rrugëve që lidhin komunat me njëra-tjetrën, fshatrat me njëri-tjetrin dhe fshatrat me komunat.
Hapjen e rrugëve që lidhin qytetet me komunat dhe fshatrat, hapjen e rrugëve kombëtare.
Kthimin në efiçencë të plotë të ujësjellësve.
Furnizim të menjëhershëm me ujë të qyteteve dhe komunave.
Furnizim të menjëhershme me barna edhe për 2 muaj, si dhe mbajtjen hapur të të gjitha qendrave shëndetësore.
Furnizim me vesh mbathje në fshat e qytet për dy muaj.
Furnizim të menjëhershëm me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj.
Furnizim me ushqim në sasi të mjaftueshme edhe për 3 muaj.
Identifikimin e kostove për dëmet në rrugë rurale dhe kombëtare, në rrugët e brendshme të qyteteve.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të bardha dhe të zeza.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në shkolla në qytet dhe në fshat.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve në qytet dhe në fshat.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bagëti.
Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bazën ushqimore të këtyre familjeve.
Duhen alokuar grantet e planifikuara në buxhetin e shtetit për komuna dhe bashkitë në nevojë.
Alokim i fondeve për ndërhyrje të menjëhershme.
Alokim i fondeve për ndihmën ekonomike në një masë të plotë 4 mujore.
Alokim i fondeve shtesë për familjet që do bien në varfëri për shkak të dëmeve, në masë të plotë dhe të paktën për 4 muaj.
Alokim i menjëhershëm i fondit të buxhetit të shtetit për ndërtimin e digave, për ti paraprirë atyre fenomeneve që mund të ndodhin nga shkrirja e menjëhershme e borës.
Alokim i menjëhershëm i fondeve operative për funksionimin e hidrovorëve dhe kanaleve kulluese.
Të ndërhyhet në mënyrë konkrete dhe emergjente në terren.