Reshjet e dendura të dëborës bllokojnë maunet në Qafë-Mali
Në rajonin e Qarkut të Kukësit ende vazhdojnë reshjet e dëborës me intensitet të shtuar. Në qytetin e Kukësit, deri në mesditën djeshme ka rënë rreth 25 cm dëborë, ndërsa në zonat malore më shumë se 50 cm. Temperatura mesatare e shënuar në mëngjesin e të mërkurës ka qenë minus 2 gradë Celsius për zonën e pellgut të Kukësit, ndërsa në lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit deri në minus 7 gradë Celsius. Reshjet e dëborës që prej tre ditësh kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në rrugë, kryesisht në akset kombëtare. Me gjithë masat e marra nga drejtoria rajonale e rrugëve, është bërë e mundur që akset Kukës-Tiranë, Kukës-Krumë-Qafë Prushi, Kukës-Shishtavec, si dhe rruga B.Curri-Qafë Mali, në shumicën e gjatësisë të funksionojnë vetëm me një korsi. Drejtori Arben Basha tha për gazetën “Shqip” se në segmentet problematike janë dërguar fadroma borëpastruese dhe kripë, ku si rezultat e gjithë gjatësia e rrugës nën juridiksionin e ndërmarrjes së Kukësit është mbajtur në funksionon pa ndërprerje. Aktualisht, sipas burimeve të policisë, segmentet rrugore në Qafë Shllak dhe në Qafë Mali, si dhe segmenti Fierzë-Qafë Mali, kalohen vetëm me zinxhirë. Në Qafë Shllak gjatë orëve të mesditës së djeshme janë bllokuar për më shumë se tri orë dhjetëra furgonë dhe autovetura për shkak se aksi ishte bllokuar nga disa kamionë të rëndë. Në hyrje të Kukësit, që prej dy ditësh policia ka ndaluar udhëtimin e kamionëve të tonazhit të rëndë drejt Qafës së Malit, por vetëm në orët e ditës, me qëllim për të shmangur ndonjë bllokim të rrugës në orët e natës. Një efektiv i qarkullimit rrugor në Kukës tha se shoferët duhet të shmangin mundësisht udhëtimin në orët e natës në aksin Kukës-Tiranë, pasi një bllokim në majë të malit do t’u kushtonte shëndetin pasagjerëve dhe shoferëve, sepse në Qafë Mali gjatë natës temperatura bie deri në minus 17 gradë Celsius.
Nga ana tjetër, raportohen si të pakalueshme rrugët e fshatrave të Grykës së çajës, Bushtricës, disa fshatra të Zapodit, Shishtavecit etj., Komuna Arrën, si dhe disa fshatra të Kalisit.
#