Burgaj: Nuk po zbuloni trafikun e drogës, po kapen vetëm shpërndarësit
Kreu i Policisë së Shtetit, kritika punës së bërë nga komisariatet për zbulueshmërinë e veprave penale.
Vocaj: Krimi, i importuar nga rrethinat, do shtohen efektivat në komisariatet më të mëdha
Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nuk i ka kursyer aspak kritikat ndaj drejtuesve të komisariateve të kryeqytetit gjatë analizës vjetore. Ai i ka kritikuar ata për mangësitë në zbulueshmërinë e mjaft veprave penale, ndërkohë që ka deklaruar se policia e Tiranës duhet të bëjë më shumë për trafikun e drogës dhe jo vetëm, duke kapur shpërndarësit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka kërkuar më shumë punë në policinë e Qarkut të Tiranës në luftën ndaj krimit të organizuar, ndaj pronës dhe në luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë fjalës së mbajtur ditën e djeshme në analizën vjetore të drejtorisë më të madhe të qarkut në vend, Burgaj theksoi se “konstatohet se ka një rënie të theksuar në numrin e përgjithshëm të veprave penale në fushën e krimit të organizuar, gjë që duhet seriozisht të analizohet për të konkluduar nëse kjo rënie është faktike, apo është pamundësia e strukturave tona për t’i konstatuar dhe zbuluar”. Drejtori i Policisë së Shtetit foli edhe për rezultatet e arritura në luftën kundër narkotikëve. “Rezultatet në fushën e luftës kundër narkotikëve duket të kenë një rënie të konsiderueshme, e cila nuk mund të justifikohet me rënien e menjëhershme të trafikut në fushën e drogës. Vëmë re se në këtë drejtim ka rezultate në kapjen e shpërndarësve të drogës, por nuk ka rezultate të mira në zbulimin e trafikimit të drogave, gjë që nuk përputhet me realitetin, sepse nuk mund të ketë shpërndarje pa trafikim”, - deklaroi kreu i Policisë së Shtetit. Për Burgajn, ka rezultate të dobëta edhe në zbulueshmërinë e krimeve kundër pronës. Kritika pati edhe për sa i përket zbulueshmërisë së veprave penale nga komisariatet në Tiranë. “Është i paqartë fakti i kësaj statistike të komisariateve të policisë dhe tabelës përmbledhëse më sipër, ku rezulton se krimet kundër personit dhe pronës kanë rritje, fuqia zbuluese ka rënie, ndërsa komisariatet e kanë fuqinë zbuluese mesatarisht 94-95 %”, - tha ai, duke shtuar se “duhet të pyesim, se çfarë zbulojnë komisariatet, kur rezultatet e drejtorisë janë 79%? Kush është kontributi i tyre në luftën kundër kriminalitetit, kur zbulimi i krimit të vjedhjes së pronës është rreth 42%?”. Megjithatë, gjatë analizës ka pasur edhe vlerësime nga kreu i Policisë së Shtetit, kryesisht për punën e bërë nga Patrulla e Përgjithshme, si dhe rolin e luajtur nga policia në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Më tej, fjalën e ka marrë kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i cili u shpreh se “krimi është një fenomen global, që aktualisht shqetëson të gjitha vendet më të zhvilluara të Evropës e më gjerë. Përpjekjet që po bëjnë institucionet ligjzbatuese, përmes të cilave edhe policia, janë maksimale për ta luftuar krimin dhe për të siguruar qytetarët. Duke krahasuar shifrat e kriminalitetit në raportin për numër popullsie, rezulton se Tirana ka sot një rend dhe siguri publike, tërësisht sipas parametrave evropianë”. Sipas tij, strukturat e saj kanë punuar me përkushtim për zbatimin e detyrave të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për sigurimin e rendit publik, si dhe për parandalimin, zbulimin e goditjen e veprimtarisë kriminale. Në vëmendje e veçantë, për Vocajn, është edhe bashkëpunimi i policisë me komunitetin në goditjen më efektive ndaj krimit. Kreu i policisë së kryeqytetit theksoi se krimi kryesisht është i importuar nga rrethinat apo lagjet periferike të kryeqytetit dhe se shihet si prioritet shtimi i kapaciteteve policore në komisariatet që mbulojnë pjesën më të madhe të Tiranës, konkretisht komisariatet nr. 1, 2 dhe 3.
Analiza
Referuar rezultateve të bëra publike dje gjatë analizës, gjatë periudhës janar-nëntor 2009, në Qarkun e Tiranës janë evidentuar 4.828 vepra penale dhe u zbuluan 3.941 prej tyre, 82% e veprave penale të evidentuara në shkallë qarku dhe në sajë të masave të marra u arrestuan 1100 dhe u ndoqën në gjendje të lirë 2.713 persona. Gjatë këtij viti, Sektori Kundër Krimit të Organizuar ka evidentuar 260 vepra penale, ku janë implikuar dhe proceduar penalisht 307 autorë, nga të cilët 137 janë arrestuar në flagrancë, 161 ndiqen në gjendje të lirë. Në fushën e krimeve kundër narkotikëve, janë evidentuar dhe ndjekur 127 vepra penale të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, janë zbuluar 127 ose 100% e tyre, me 167 autorë, prej të cilëve 108 të arrestuar. Janë finalizuar me sukses 20 operacione policore për goditjen e individëve dhe grupeve kriminale të shpërndarjes së drogës. Gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar 1501.5 gr heroinë; 144.5 gr kokainë; 12.771.2 gramë kanabis sativa; 1.161 rrënjë kanabis sativa; 89.5 gr metadon; dhe 31 gramë përzierës kokaine. Në fushën e trafiqeve të paligjshme, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 133 vepra penale të këtij drejtimi, të zbuluara 133, ose 100% e tyre, me 140 autorë, prej të cilëve 29 të arrestuar në flagrancë. Gjatë këtij viti 2009, në fushën e krimeve ndaj personit, janë evidentuar gjithsej 207 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 194 prej tyre ose 94.5%. Në këtë veprimtari janë evidentuar 241 autorë, nga të cilët 114 janë arrestuar, 90 janë ndjekur në gjykim të lirë dhe 36 autorë të shpallur në kërkim.
Krimi ekonomik
Gjatë kësaj periudhe, në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidencuar gjithsej 610 vepra penale, prej të cilave janë proceduar penalisht 854 autorë, nga të cilët 172 janë arrestuar në flagrancë dhe 682 janë ndjekur në gjendje të lirë. Krahasuar me vitin 2008 janë evidentuar 84 vepra penale më shumë, si dhe ka një rritje të operacioneve policore, si në numër, ashtu edhe në cilësi. Në fushën kundër korrupsionit janë evidentuar 134 vepra penale, proceduar 284 autorë nga të cilët, 56 janë arrestuar në flagrancë dhe 228 të proceduar në gjendje të lirë. Vepra penale kundër krimit ekonomik-financiar janë evidentuar 442 vepra penale, me 512 autorë, nga të cilët 97 janë arrestuar në flagrancë dhe 415 janë proceduar në gjendje të lirë. Gjatë vitit 2009 janë evidentuar 34 vepra penale kundër pastrimit të parave, ku janë proceduar për këtë veprimtari 58 autorë, nga të cilët 19 janë arrestuar në flagrancë dhe 39 ndiqen në gjendje të lirë. Në fushën e krimeve ndaj pronës, për këtë vit janë evidentuar 1.247 vepra dhe zbuluar 532 prej tyre ose 42%, implikuar dhe proceduar 744 persona, nga të cilët 391 arrestuar, 271 ndiqen në gjendje të lirë dhe 82 të shpallur në kërkim.
Policia rrugore
Objektiv i shërbimeve të Policisë Rrugore ka qenë përmirësimi i elementeve dhe parametrave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të këtij shërbimi, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore. Në bashkëpunim edhe me Patrullat e Përgjithshme është përballuar një ngarkesë pune, për normalizimin e trafikut në Tiranë. Gjatë vitit 2009 në Qarkun e Tiranës kanë ndodhur gjithsej 587 aksidente me 76 viktima, 69 persona të plagosur rëndë dhe 501 persona të plagosur lehtë.