E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazet kthehen në tre vjet



Shkollave të mesme të përgjithshme, jo vetëm që u ndryshon termi i emërtimit, duke u quajtur gjimnaze, por u shkurtohet kohëzgjatja. Duke filluar nga ky vit gjimnazet bëhen tre vjeçare.”Vendimi i para një dite i marrë nga qeveria për të rikthyer emërtimet tradicionale është një tjetër hap për të çmontuar pasojat e komunizmit krahas përpjekjeve të gjithanshme për t’u risjellë shkollave tona autoritetin dhe reputacionin e gjimnazeve të dikurshme”, - është shprehur Genc Pollo, ministër i Arsimit.

Për nga simbolika, shkollat e mesme të përgjithshme do të quhen zyrtarisht gjimnaze, pra me emrin që i thërret populli që nga vitet 1920, kur u themeluan gjimnazet e para, si gjimnazi shtetëror në Tiranë (sot gjimnazi “Qemal Stafa”) gjimnazi i Shkodrës, gjimnazi i Gjirokastrës e të tjerë.

Regjimi komunist në vitin 1969 në përpjekje për të fshirë traditën evropiano-borgjeze në vendin tonë ndaloi emërtimet, si gjimnaz, dhe e zëvendësoi me “shkollë e mesme e përgjithshme”. Po kështu, ato lice artistik dhe teknikum.

Rikthimi i termit “gjimnaz” në vend të “shkollë e mesme e përgjithshme” pas afro 40 vitesh, korrigjon një gabim të së shkuarës.

Emërtimi i ri “gjimnaz” që futet, synon të risjellë autoritetin dhe reputacionin e gjimnazeve të njohura të vendit dhe të thjeshtojë terminologjinë zyrtare e ta unifikojë atë, me emërtimin e mirënjohur dhe të përdorur prej shumë kohësh nga të gjithë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›