Ndau burrin se donte 2 gra, s’i regjistrojnë foshnjën
LAÇ/ ROLAND NIKOLLI
Prej 2 javësh një nënë 22-vjeçare nga qyteti i Laçit nuk mund të regjistrojë foshnjën e lindur. Disa muaj më parë ajo kishte provuar të ndahej nga i shoqi kosovar, nga një martesë e pacelebruar, pasi ai kërkonte të mbante dy gra. Por, lindja e fëmijës së ngjizur nga kjo martesë i solli zhgënjimin e dytë. Këtë herë jo nga individi, por nga shteti. Elvita Mneraj, prej 17 shkurtit nuk ka mundur të shënojë në gjendjen civile vajzën e sapolindur, duke i kërkuar praninë e babait të fëmijës. Drama e 22-vjeçares zë fill 5 muaj e gjysmë më parë. Atëherë kur papritur jeta e saj bashkëshortore mori fund. E martuar prej 16 tetorit 2007 në Prizren, Elvita vendosi t’i japë fund bashkëjetesës, pasi i shoqi, Rexhep Vahja, i kishte sjellë një tjetër vajzë në shtëpi, duke kërkuar që t’i mbante të dyja për gra. Kjo nuk është kapërdirë nga ana e Elvitës, duke u telefonuar prindërve të saj në lagjen 4 në Laç. “Ne kemi bërë fejesën dhe kemi nxjerrë vajzën me dasmë, duke ia dhënë për nuse Rexhep Vahjës. Ai erdhi dhe kërkoi për nuse me shkuesi vajzën tonë, të cilën e martuam në bazë të zakoneve tona. Bashkë kanë qëndruar më shumë se një vit, pa bërë celebrim dhe gjatë kësaj kohë vajza ka mbetur shtatzënë. Kur e morëm ne ishte 5 muajshe e gjysmë shtatzënë. As ajo dhe as ne nuk ishim dakord që të hiqte fëmijën, pasi ishte krim, dhe pse martesa ishte e dështuar”, tregon e ëma e Elvitës, Fatimja. Sipas saj, Elvita lindi më 17 shkurt në maternitetin e Lezhës, pasi mjekët e Laçit e kishin cilësuar të vështirë lindjen. “Falë mjekut Zef Zefi lindja ishte normale. Me 18 shkurt erdha në zyrën e gjendjes civile në Laç, por nuk kanë pranuar punonjëset e saj ta regjistrojnë. Kur vajza doli me fëmijën nga spitali shkuam prapë, por punonjësit dhe pse u dhamë emrin e të atit, na kërkuan që ai vetë të jetë prezent. Ne nuk kemi nga e marrin të atin, se vajza nuk ka celebrim me të që ta detyrojë ligjërisht të vijë e të bëjë regjistrimin e fëmijës”. Fatime Mneraj thotë se ka takuar Kryetarin e Bashkisë Laç, Luigj Isufi, i cili e ka drejtuar për në Prefekturë. Nga aty e kanë drejtuar për në zyrën e Gjendjes Civile në Laç, pasi sipas tyre nuk ka asnjë problem për regjistrim, por sërish nuk është gjetur zgjidhje. “Unë nuk e di si do të kishte vepruar shteti nëse vajza ime do të kishte braktisur fëmijën e saj, duke e hedhur në ndonjë vend. Ajo e ka sjellë në jetë fëmijën me bashkëshortin e saj, edhe pse me të nuk kishte celebrim. Nuk kam as lekë të hap gjyq për këtë çështje, pasi më duket veprim absurd”, ka reaguar gjyshja e fëmijës.