Abuzim me tokën e prekur nga Durrës-Kukës, pranga avokatit
TIRANE - Përfaqësuesi ligjor i firmës së inerteve “Sukaj” Sh.p.k, me qendër në Fushë-Milot është arrestuar pasi ka abuzuar me truallin ku kalonte rruga Durrës-Kukës, duke përfituar shumën prej 130 mijë euro, nga një person të cilin e kishte mashtruar duke ia shitur. Burime nga policia bënë të ditur se është arrestuar Hajdar Shabani, i cili dyshohet se ka falsifikuar një dokument pronësie të ish-bashkëshortes së tij, duke e kthyer në një akt dhurimi. Me këtë dokument të falsifikuar, Shabani kishte arritur të merrte edhe vlerësimin nga Drejtoria e Rrugëve, në mënyrë që të përfitonte shpronësim nga ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës. Burime nga prokuroria bënë të ditur se hetimet kanë zbuluar, se avokati duke përfituar nga dokumenti i falsifikuar, por edhe nga vlerësimi që i është bërë truallit të tij nga Drejtoria e Rrugëve, ka mundur që t’ia shesë sipërfaqen e tokës një personi, të cilit i ka marrë 130 mijë euro. Të njëjtat burime pohuan se hetimet kanë marrë shkas nga një denoncim që ka bërë ish-bashkëshortja e Hajri Shabanit, pasi trualli që ai kishte shitur rezultonte në emër të saj. Në momentin që ata janë divorcuar, prona është shënuar në emër të bashkëshortes së tij, ndërkohë Shabani ka përpiluar një akt dhurimi të falsifikuar, me anë të të cilit paraqitej vetë si pronar i saj dhe ka arritur ta shesë. Në bazë të provave të paraqitura nga Task-Force, Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg, me akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe falsifikimit të dokumenteve. Më pas arrestimi i tij është kryer nga Antikrimi Ekonomik i Tiranës në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë.