E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohet Nëntori i dytë, gati për 100-vjetor

Nga xhirimet e filmit Nëntori i dytë

Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, po restaurohet filmi-emblemë i kësaj dite të shënuar. Bëhet fjalë për filmin Nëntori i dytë, i cili tashmë është në duart e restauruesve amerikanë, të cilët pak kohë më parë dërguan në Arkivin Qendror të Filmit në Tiranë përfaqësuesen e tyre, Regina Longo. Mësohet se tashmë tri kutitë që mbajnë kopjen origjinale të filmit në 35 mm kanë mbërritur në Colorlab Film Corp. në Rockville dhe një punë shumë e imtë për pastrimin e figurës dhe zërit ka filluar me sekuencat e para të filmit. Bëhet fjalë për atë skenë të parë ku një djalë i ri nxiton nëpër rrugë për të dhënë lajmin e madh për ngjarjen që po ndodh. Nëntori i dytë është një prodhim i vitit 1982, me regji të Viktor Gjikës, skenar të Dhimitër Shuteriqit dhe Kiço Blushit, i cili falë interpretimit të aktorit të madh, Sandër Prosi, u nguliti shqiptarëve imazhin e plakut të pavarësisë, Ismail Qemali, aq sa ndonjëherë ishte e vështirë ti shkëpusje vizualisht nga njëri-tjetri. Pas restaurimit, ky film do të nisë një tur shfaqjeje, falë edhe të një përkthimi në gjuhën angleze. Procesi i përkthimit, i cili është marrë përsipër nga një studente e akademisë së filmit Marubi, tashmë është gati i përfunduar. Për shkak të kohës dhe financave të kufizuara për restaurimin, përkthimin dhe të tjera elemente që do ta sjellin filmin në gjendjen optimale për tu shfaqur, edhe për publikun e huaj, po punohet në mënyrë paralele si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në Tiranë. Pas përfundimit të punës, pas shfaqjes së filmit në ditët e Festivalit të Filmit Shqiptar në Tiranë, filmi do të shfaqet në edicionin e parë të Festival of the Archives, i cili do të zhvillohet në datat 7-9 dhjetor në SIFF Cinema në Seattle, i cili i bashkëngjitet takimit të përvitshëm të shoqatave të arkivave të filmit. Restaurimi i filmit Nëntori i dytë e më pas i atij Ballë për ballë u arrit falë një fushate sensibilizuese për ruajtjen e pasurisë filmike në Shqipëri dhe në veçanti në AQSHF, ndërmarrë nga kineastët Thomas Lorogeci dhe Iris Elezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›