E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Trishtimi…" zyrtarisht në Oskar

 

Trishtimi i zonjës Shnajder", një film autobiografik me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 2007, me regji të Pirro dhe Eno Milkani, figuron zyrtarisht në konkursin e çmimit "Oscar Award Academy 2009'' për filmat jo-anglishtfolës. Lajmin e bënë të ditur sot në një konferencë për shtyp në Galerinë Kombëtare të Arteve, regjisori Pirro Milkani dhe presidenti i shoqërisë ndërkombëtare "TPE", (Tele Produzioni Elettroniche), Gianfranco Luizzi. Milkani u shpreh se "Jemi shumë të lumtur që konkurrojmë dhe përfaqësojmë Shqipërinë, pavarësisht se filmi është bashkëprodhim shqiptaro-çek. Përzgjedhja e filmit për çmimin Oscar në gjuhë të huaj, është bërë në përputhje me gjithë dokumentacionin e kërkuar". Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Karlovi-Vari, (Çeki), filmi i Milkanëve "Trishtimi i zonjës Shnajder", u shfaq në seksionin e filmit komercial në 2 projeksione, pasi numri i shikuesve, ishte i jashtëzakonshëm. Por në shfaqje ndodhej dhe shefja e zyrës së Çmimeve Oscar, Torene Svitil, e cila sugjeroi që "Trishtimi i zonjës Shnajder", të merrte pjesë në konkurrimin për çmimin Oscar në edicionin e 81-të. Presidenti i shoqërisë ndërkombëtare "TPE", (Tele Produzioni Elettroniche), Gianfranco Luizzi, u shpreh :"Me shumë dëshirë kam punuar për ta prezantuar filmin në festivale ndërkombëtarë të ndryshëm, për më tepër, për të realizuar distribucionin e filmit në të gjithë botën, pasi tregu i shpërndarjes së filmit në botë nuk është shumë i lehtë, veçanërisht për një film shqiptar". "Trishtimi i zonjës Shnajder", u shfaq në datat 14-22 tetor dhe në edicionin e 29 Ndërkombëtar të filmit Mesdhetar në Valencia, (Spanjë), me ftesë të organizatorëve, në seksionin kryesor, ku Juria ndërkombëtare e vlerësoi "Trishtimin e zonjës Shnajder" me çmimin Special të saj. Por filmi është pritur mjaft ngrohtë edhe në festivalin e Tranit, në Itali, ku u nderua me "Targen" të Jurisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›