E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjisori italian ; Zorzin e shokoi feja e shqiptarëve, më shumë se muzika

E ka vëzhguar Shqipërinë jo vetëm si regjisor “student”, por edhe si njeri. Italiani Nicola Zorzi, që vjen për herë të parë në Shqipëri dhe eksperiencën si regjisor, e provon po për herë të parë në skenën tonë të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ai nuk e fsheh sinqeritetin për çfarë ka gjetur në këtë vend. Është këndvështrimi i të huajit, fqinjit për tjetrin. I pëlqen që gjithë kjo eksperiencë të transformohet në një marrëdhënie humane, mes dy vendeve, e sidomos mes artistëve. Ndaj, me çudi të madhe ka vëzhguar mbi faktin se si shqiptarët me fe të ndryshme shkojnë aq mirë me njëri-tjetrin

Regjisori italian ; Zorzin e shokoi feja e shqiptarëve, më shumë se muzika

Intervistoi: Suela Furriku

E ka vëzhguar Shqipërinë jo vetëm si regjisor “student”, por edhe si njeri. Italiani Nicola Zorzi, që vjen për herë të parë në Shqipëri dhe eksperiencën si regjisor, e provon po për herë të parë në skenën tonë të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ai nuk e fsheh sinqeritetin për çfarë ka gjetur në këtë vend. Është këndvështrimi i të huajit, fqinjit për tjetrin. Thotë se realizimi i premierës “Lucia De Lamermoor” është një sfidë e vështirë, që ka njohur artin shqiptar përmes sopranos Inva Mula dhe Orjana Kurteshit. Flet me entuziazmin që do të shoqëronte karrierën e të dyjave në Itali dhe ndalet në nivelin e këngëtarëve të sotëm, duke treguar inkurajimi që u jepet të rinjve në vendin e tij.

Në mënyrë krejt të sinqertë thotë se opera që do të realizojë në skenën shqiptare do të shënojë një nga eksperiencat më të rëndësishme të karrierës së tij, si një regjisor i ri, duke thënë se ka nevojë të “rritet”. I pëlqen që gjithë kjo eksperiencë të transformohet në një marrëdhënie humane, mes dy vendeve, e sidomos mes artistëve. Ndaj, me çudi të madhe ka vëzhguar mbi faktin, edhe duke u shprehur, se si shqiptarët me fe të ndryshme shkojnë aq mirë me njëri-tjetrin.

Bie në sy menjëherë komunikimi i hapur me të gjithë, sidomos me artistët, pavarësisht se nuk di të flasë shqip. Mund të ngjajë si një pengesë, por ky nuk është aspak problem për të ndërtuar bashkëpunimin me artistët shqiptarë. Është vetëm koha e kufizuar që ai bashkë me interpretët e tjerë kanë në dispozicion për të vënë një kryevepër italiane në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ai gjendet në hapat e parë të karrierës së tij, ndërkohë që “Lucia De Lamermoor” është një vepër që për herë të parë atij i shënon rolin e regjisorit. Gjatë një interviste, Zorzi thotë se kjo nuk është një premierë e panjohur për të, meqenëse më parë ai ka qenë pjesë e saj, por vetëm si asistent-regjisor

Sa e vështirë është për ju të vini në skenën shqiptare një kryevepër si “Lucia De Lamermoor”?

Nuk mund të them që nëse jemi në Shqipëri nuk mund të vëmë një teatër të tillë në skenën tuaj kombëtare. Nuk është kjo vështirësia, por ajo konsiston më shumë vetëm tek koha e kufizuar që na është dashur për ta vënë në skenë këtë lloj vepre. Ne kemi pasur shumë pak kohë në dispozicion, por me ndihmën e teknikëve dhe të gjithë personave që kanë punuar për “Lucia De Lamermoor”, kam shumë besim se do të dalë një shfaqje shumë e mirë.

Cila është eksperienca juaj mbi këtë vepër, e keni vënë këtë vepër edhe më parë në skena të tjera italiane?

“Lucia De Lamermoor” për mua është një shfaqje e njohur. Para disa kohësh unë kam qenë pjesë e saj, por kjo është hera e parë që për mua shënon përfaqësimin e kryeveprës tashmë si regjisor. E them këtë, sepse në radhët e kaluara unë janë emëruar vetëm si asistent-regjisor në teatrin e Romës. Por, gjithashtu për mua kjo është vepra e parë që po prezantoj jashtë vendit tim. Sigurisht që për mua është një eksperiencë shumë e rëndësishme, duke qenë se unë jam një regjisor i ri dhe kam nevojë të “rritem”, sepse është një shkollë shumë e mirë. Ka shumë vështirësi përpara dhe kjo gjë më bën mua një “student” shumë të mirë, duke mësuar akoma më shumë.

Cili është dallimi mes artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj?

Mendoj se nuk ka asnjë diferencë mes tyre. Në Itali ka maestro që u japin mësim këngëtarëve dhe i ndjekin, për shumë kohë. Në këtë mënyrë ata nuk reshtin asnjëherë së mësuari. Nuk do të thotë që edhe pasi një student i tillë përfundon një shkollë, mendoj se nuk është e mjaftueshme për t’u perfeksionuar si këngëtar. Nuk e di se si funksionon këtu në Shqipëri, por atje në Itali të paktën kjo është një linjë që ndiqet pothuajse nga të gjithë. Pastaj këngëtarët më të mirë, pas një farë periudhë kohë u lënë vendin më të rinjve, duke u shndërruar vetë në profesorë për pasardhësit. Nuk jam në dijeni nëse mësuesit këtu në vendin tuaj kanë qenë dikur këngëtarë apo jo.

Cili është përfitimi i artistëve italianë dhe shqiptarë nga bashkëpunimi mes tyre?

Natyrisht që si për artistët shqiptarë, ashtu edhe për të huajt që janë të ftuar, bashkëpunime të tilla kontribuojnë në rritje të vazhdueshme të vlerave, për gjithsecilin në mënyrë humane. Mendoj se fillimisht vjen ndjenja humane, e më pas ajo artistike. Ajo që është më e rëndësishme është mirëkuptimi mes artistëve italianë dhe atyre shqiptarë.

Sa e njihnit më parë artin shqiptar?

Artin shqiptar e njoh që kur kam njohur sopranon Inva Mula, përderisa ajo është shqiptare dhe vjen nga Shqipëria. Nëpërmjet saj kam njohur edhe një pjesë të artit vendas. Ajo është një këngëtare shumë e madhe, madje dhe atje në Itali vjen si e tillë, si një nga këngëtaret më të mira. Po të punonte më shumë në Itali, ajo do të kishte më shumë mundësi që të rritet akoma, edhe më tepër, si këngëtare. Është e njëjta gjë që po ndodh edhe me Oriana Kurteshit, e cila në këtë vepër do të luajë rolin e Lucias.

Është hera e parë që vini në Shqipëri dhe çfarë po ju bën më tepër përshtypje?

Po, është hera e parë që vij këtu në Shqipëri. Por ardhjen time këtu fillimisht e shoh si një eksperiencë humane. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje këtu, diçka që nuk e njihja edhe më parë, është toleranca fetare. Më ka ngacmuar ky fakt, dhe më vjen keq që të tjerët nuk e njohin këtë gjë. Më bën shumë përshtypje që të gjithë personat me bindje të ndryshme fetare shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo gjë duhet të evidentohet edhe në botë, e pse jo të merret edhe si shembull i mirë për t’u aplikuar.

Cila është sfida juaj regjisoriale për të vënë në skenë këtë opera?

“Lucia De Lamermoor” është një vepër shumë komplekse dhe shumë e vështirë për ta vënë në skenë. Personazhet që po marrin pjesë janë jashtëzakonisht shumë të karakterizuar dhe tërësisht ndryshe nga njëri-tjetri. Lucia jeton një moment lumturie me Edgaron në vendin ku lind dashuria mes tyre. E shoh të gëzuar vetëm me këtë personazh, ndërkohë që edhe gjithë skena në këtë moment është e tyre. Ajo hapet e gjitha dhe në qendër të saj do të shohim vetëm dy të dashuruarit. Gjatë pjesës kur Lucia gjendet mes duetit të Edgardos dhe të vëllait, e gjithë skena do të marrë një tjetër pamje, ajo do të mbyllet për të sinjifikuar në këtë mënyrë edhe zymtësinë që parashikon dashurinë e kundërshtuar. Po ashtu skena do të mbyllet edhe gjatë aktit kur vajza do të detyrohet të martohet me Arturon, sepse me anë të kësaj skenografie do të transmetohen edhe mesazhe apo emocionet që nuk shprehen me fjalë.

Po me drejtuesit e Teatrit të Operës, si i keni pasur marrëdhëniet, a u janë përgjigjur kushteve tuaja?

Në fakt ishte drejtori i këtij institucioni që më ka kontaktuar dhe për këtë jam shumë i lumtur. Uroj që shfaqja të pëlqehet nga ai. Po ashtu edhe marrëdhëniet i kemi pasur shumë të mira si me atë, apo ashtu edhe teknikët apo të tjerë të tjerët në përgjithësi. Madje, mund të them që edhe komunikimi dhe mënyra se si jemi pritur ka qenë jashtëzakonisht shumë mbresëlënëse. Ndërkohë që çdo teatër ka probleme si me kostumet, skenën etj., por e rëndësishme për mua ka qenë komunikimi, i cili nuk ka qenë i një niveli të duhur.

Sa të vështirë e kanë bërë punën tuaj si regjisor këto probleme?

Po siç e thashë edhe më lart, që probleme të tilla gjenden kudo, por gjithçka është stabilizuar me kalimin e kohës. Gradualisht ato janë fshirë si probleme e për këtë nuk i shoh si pengesa që mund të ndikojnë në punën tonë.

Cili është projekti juaj, që do të pasojë veprimtarinë artistike?

Sapo të mbaroj këtë premierë unë do të ik në Palermo për kryeveprën e njohur “Aida” të një prej regjisorëve më të mëdhenj në Itali Zefireli, dhe do të kem rolin e asistent-regjisorit në këtë vepër. Ndërkohë që për më tej nuk do çfarë të them, pasi ende nuk kam parashikuar një projekt të përfunduar, por nga ana tjetër shpresoj që nga viti tjetër të vij sërish në Tiranë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›