E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNDP projekt për rehabilitimin e Prespës

14/06/2009  Projekti disavjeçar financohet nga Qendra Botërore e Mjedisit, me qendër në Nju-Jork

Objektivat kryesorë për ruajtjen e biodiversitetit dhe fuqizimin e zonave të mbrojtura

Mirëmbajtja dhe restaurimi i ekosistemit në basenin e liqeneve të Prespës, përmirësimi i mirëqenies së tij, ruajtja e biodiversitetit dhe fuqizimi i zonave të mbrojtura, si dhe konsolidimi i bashkëpunimit ndërkufitar në basenin e këtij liqeni janë objektivat kryesorë të projektit të Prespës, që po zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit. Faza e plotë e projektit “Menaxhimi i integruar i ekosistemit në basenin e liqeneve të Prespës në Shqipëri, IRJ- Maqedonisë dhe Greqi”, ka nisur në janar të 2007-s dhe financohet nga GEF (Qendra Botërore e Mjedisit me qendër në Nju-Jork, SHBA). Më herët, në vitin 2004 u realizua faza fillestare e projektit, gjatë së cilës u bënë hetimet dhe analizat e nevojshme për hartimin e një dokumenti-projekt. Objektivi i këtij projekti është të katalizojë miratimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve të menaxhimit të ekosistemit në zonën e liqeneve të Prespës në Shqipëri, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqi, që integrojnë qëllimet ekologjike, ekonomike dhe sociale me qëllimin e ruajtjes së biodiversitetit shumë të rëndësishëm global dhe ruajtjen dhe reduktimin e ndotjes së liqeneve ndërkufitarë dhe ujërave të tyre që shfrytëzohen. Shëndeti i ekosistemit të zonës të Prespës mund të ruhet dhe të mirëmbahet vetëm duke ndryshuar praktikat e sektorit prodhues brenda për brenda pellgut të Prespës. Projekti është hartuar për të forcuar kapacitetin për ripërtëritjen e shëndetit të ekosistemit dhe për ruajtjen e biodiversitetit fillimisht në rang kombëtar në Prespën e Shqipërisë dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, duke eksperimentuar me metodat e orientuara nga ekosistemi drejt planifikimit hapësinor, administrimi i përdorimit të ujit, bujqësisë, administrimin e pyjeve dhe të peshkimit, si dhe administrimin dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura. Vija uji, rreth 57 të tilla, rrjedha të përkohshme dhe përroska i japin formë pellgut të Prespës. Mund të thuhet se pellgu ujëmbledhës i Prespës ka një game unike të specieve sipas standardeve ndërkombëtare. Flora e Parkut Kombëtar të Prespës shqiptare ka mbi 1000 specie, ose rreth 30 % të të gjithë florës së Shqipërisë. Pellgu i Prespës ka gjithashtu të paktën 50 specie kafshësh dhe 19 specie bimore, që janë endemike (të kufizuara) vetëm në këtë pellg.

Objektivat kryesore të projektit:

Fuqizimi i mjedisit legal dhe rregullator dhe vendosja e bazave të menaxhimit të përdorimit të tokës dhe ujërave për të mirëmbajtur dhe restauruar ekosistemin në basenin e liqeneve të Prespës, siç është hartimi me pjesëmarrje të gjerë të planeve lokale të veprimit në mjedis për komunën e Liqenasit dhe Progrit.

Modifikimi i praktikave të sektorit prodhues, në mënyrë që të përmirësojë mirëqenien e ekosistemit në basenin e Prespës përmes nismave për mbështetjen e grupeve të përdoruesve, si: fermerë, peshkatarë etj., në rritjen e aftësive profesionale, strukturimin organizativ të tyre, mbështetjen materiale etj.

Ruajtja e biodiversitetit të rëndësishëm dhe prioritar dhe operacionalizimi i plotë dhe fuqizimi i zonave të mbrojtura. Për këtë UNDP po punon për dizenjimin e një sistemi monitorues ndërkufitar, përmirësimin e menaxhimit të informacionit dhe sistemit të informimit gjeografik, forcim kapacitetesh të Parkut Kombëtar, si dhe nxitja e informimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit.

Konsolidimi i bashkëpunimit ndërkufitar në basenin e Prespës duke fuqizuar mekanizmat e koordinimit ndërkufitar. Kjo do të arrihet nëpërmjet hartimit të një plani të detajuar për maturimin institucional të PPÇ (Komiteti Koordinues i Parkut të Prespës), fuqizimin e bashkëpunimit midis anëtarëve të tij dhe aktorëve të tjerë.

Demografia

Zona e pellgut të Prespës është afërsisht 1600 km2: 62 % në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (1000 km2), 17 % në Shqipëri (263 km2) dhe 21 % në Greqi (330 km2). Në Prespë jetojnë afërsisht 28 900 banorë. Afërsisht 75 % e të gjithë popullsisë së Prespës jeton në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (17 500 banorë) brenda bashkisë së Resenit; 17 % jeton në Shqipëri (5300 banorë) brenda komunës së Liqenasit (Prespa e Madhe), që ka rreth 4500 banorë, të ndarë në 9 fshatra, Progrit dhe Bilisht-Qendër (Prespa e Vogël) dhe pjesa tjetër, prej 8 %, jeton në Greqi (1500 banorë) brenda bashkisë së Prespës. Qyteti më i madh në Prespë është Resen me 7000 banorë, vendosur në Prespën e ish-Republikës Jugosllave së Maqedonisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›