Retorika e 21 janarit u tret si kripa në ujë
21 janari vazhdon të shkruhet nga propagandistët stereotipë edhe sot e kësaj dite. Shkruajnë për forcë zakoni. Por nuk janë më të lexueshëm, se e ka humbur besueshmërinë.
20 janari i këtij viti është strategjia djallëzore që duhej të përfshinte lloj-lloj taktikash të cilat duhej t’i paraprinin një date tjetër, që nuk u shmang dot: 8 majin e 2011-s. 20 janari u përmend si një profecí tragjike e Kasandrës, për t’u lënë, më tej, si temë tabù, vetakuzuese, që duhej mbuluar nga pluhuri i harresës. Por ajo që u bë refren i zgjedhjeve, ishte 21 janari. Kandidati Lulzim Basha, gjithmonë epror ndaj kundërshtarit të tij, E. Ramës, doli fitues përherë në debat dhe në zgjedhje. Në debat, se E. Rama nuk guxoi të pranonte ballafaqimin e drejtpërdrejtë me kandidatin antagonist për bashkinë e Tiranës. Por edhe se L. Basha fitoi kurdoherë në argumentin se çdo të bënte, në të gjitha auditoret: me njerëzit e thjeshtë, me hallexhinjtë e një bashkie inerte, me intelektualët, me popullin në tërësinë e tij. E. Rama e ndjeu veten inferior; se fillimisht u përqendrua në ç’kishte bërë, duke qenë ky, një muhabet i brishtë: Rrugë me gropa dhe pa kanalizime, që shkaktonin përmbytje që në shiun e parë. Ekologjia, për lumë. Trafiku, i krahasuar me ecjen e breshkës. I pari doli me program. I dyti në të gjitha zgjedhjet kishte dalë pa asnjë program, i kritikuar brenda radhëve për personalizim zgjedhjesh dhe në një retorikë bajate, me fjalë pompoze, të njëjta, pa përmendur, qoftë edhe përciptazi, perspektivën.
Në zgjedhjet e 8 majit duhej një taktikë plus, që të ishte tronditëse për zgjedhësit. Një sajesë origjinale e përgjakshme, që u shpall më 20 janar dhe u zbatua më 21. 21 janari u bë një lajtmotiv propagandistik, timpançjerrës, i përditshëm. Veçse shikuesit televizivë e panë 21 janarin në të gjitha imtësitë, në të gjitha detajet, në fillimin e stoicizmit mbrojtës të gardistëve dhe në mbarimin tragjik, të shpallur një ditë më parë, më 20.
Prandaj ajo taktikë e dalë boje, se “zgjedhjet quhen të lira po fituam ne, quhen të manipuluara po humbëm”, nuk ndikoi që Lulzim Basha të mos dilte fitues, me votat e numëruara një për një nga cilido shikues para kamerave televizive. Teknologjia e lartë, këtë herë e pakrahasueshme me të gjitha rastet e zgjedhjeve të mëparshme, qé një armike efektive e kandidatit Edi Rama, që doli humbës.
E.R. doli i komprometuar në 20 maj. Kur E. Rama deklaroi më 20 janar të këtij viti se ajo demonstrata që do të bëhej të nesërmen, më 21, “mund të dilte jashtë kontrollit”, kjo shprehje kishte një domethënie kërcënuese të thellë, që më duket se nuk është trajtuar aq sa duhet. Në të vërtetë, ajo që na panë sytë në ekran nuk ishte një miting i zakonshëm. Paqësor, jo se jo. Ishte një mësymje e egër kundër selisë kryeministrore, me synime si ato të Brigadave të Kuqe, apo një sulm si ato të kontingjenteve të “17 Nëntorit” në Greqi. Ai sulm kundër selisë së kryeministrisë ishte përgatitur nga E. Rama dhe nga askush tjetër. Në vijën e parë të mësymjes janë parashikuar trupat mercenarë paramilitarë, të stërvitur për hyxhym dhe me pare në dorë, për ngjarjen e jashtëzakonshme! “Paret në dorë” nuk i mohon dot as F. Xibri, i borderove. Paralajmërimi i 20 janarit nuk duhet kaluar nga cilido që përmend 21 janarin. Ata që thonë se demonstratat dhe bllokimet e të rekrutuarve me pagesë janë spontane, - ata që thonë bufonada të tilla, - mashtrojnë me qëllim. Asgjë nuk bëhet pa vullnetin autokratik të Edit. Së dyti, E. Rama kishte në dispozicion 90 minuta gjatë të cilave mbrojtësit e kryeministrisë ishin të ngulitur, në vend numëro, asnjë hap para, me mburojat plastike sa për të ruajtur kokën. Një kohë e bollshme që të mbyllej brenda minutës ai kërcënim, gjatë të cilit spitalet mbusheshin vetëm me individë të forcave të rendit. Gardhi njerëzor shfaqi një stoicizëm të vërtetë vetëmohues.
Ishte e pamundur që të shuhej ai rrezik? Aspak i pamundshëm. Do të mjaftonte vetëm një telefonatë celulari nga ai sehirxhiu, në kullat karshi selisë kryeministrore: - “Mjaft me kaq”. S’kishte më shumë nevojë se këto tri fjalë. Ç’priste Edvini? Së treti, mund t’i telefonohej nga Presidenca! – Nëse gjendja do të marrë përmasa tragjike, përgjegjësia do të bjerë te ty, z. Rama! E ke parathënë qysh dje se situata mund të dilte jashtë kontrollit!
Do të ftohej miqësia? Aq më mirë! Ç’i duhej z. Topi ajo “miqësi”, përpara asaj gjendjeje elektrizuese? Njerëzit shikonin me gjak të ngrirë në ekran, sesi sulmuesit ishin të shpërfytyruar, të shndërruar në egërsira, që godisnin si të ndërkryer ata që duronin mbi kokat e tyre leva, shkopinj, copa kalldrëmesh, gurë të mëdhenj. Shiheshin në ekran veturat e trotuareve që bëheshin karkasa, përmes tymit e flakës! Si në luftë: Nuk ka dasëm pa mish! - thoshin komunistët, për të justifikuar krimet.
Tani lind një pyetje thelbësore: A do ta dëshironte E. Rama që ta shuante atë që do të ndodhte më pas? Aspak! Si mund ta donte këtë ai, i cili mund ta shmangte rrezikun që në minutën 80, 70, 60... (e zbrit dhjetësha disa herë, po të duash)? Po kush do ta bënte? Ai që kërkonte të vrarë, qoftë edhe me vrasës brenda turmës agresive? Të vrarët do t’i duheshin për ta bërë më të leverdisshme fushatën zgjedhore: Kështu do t’u jepej mundësia propagandistëve të tij të dilnin e të ulërinin, për vrasësin Lulzim Saliu! Qëllimi justifikon mjetet, - kishte thënë Makiaveli. Por ka edhe raste kur ngec sharra në gozhdë. Kështu i ndodhi Edvinit.
Sikur, për një hipotezë të pamundur por kuptimplote, ER-ja të kishte një forcë magjike e ta kthente filmin mbrapsht, për keqardhjen ndaj viktimave të mundshme (!), a kujton dikush me mendje të kthjellët se ai do ta bënte këtë çudi? Në asnjë mënyrë! Askush nuk do të besonte se ai do të donte të shmangte pasojat, përveç ndonjë teleshmani! Jo për të kursyer tri jetë, por as 13.000 - sipas një anarkisti të tij të papërgënjeshtruar prej tij! Sa veta vrau Stalini për Kirovin, të cilin e kishte eliminuar vetë? Po Orxhinikixen që e vranë dhe e qanë?
E. Hoxha a nuk e varrosi me nderime Mustafa Gjinishin, që u ekzekutua me vendimin e Miladinit dhe të Enverit dhe pastaj u mbajt zi për të? Çe Gevara a nuk e pësoi nga ambicia e Fidel Kastros, i cili bëri sikur qau? Toljati i Italisë a nuk ishte ai që i shembi me akuza të rreme komunistët e pafajshëm italianë, disa profesionistë të zot, që mbetën vullnetarisht në B.S. për planet pesëvjeçare dhe u flijuan djallëzisht nga brenda partisë?
Edi Rama ka marrë dorë nga diktatorët e kuq, përfshirë edhe Enverin që u ngjall së dyti në Pezë, me bashkëfajësinë e Edvinit, i cili e kaloi Rubikonin nga antienverizmi marroq tek enverizmi fanatik.
***
Por, nëse gjer këtu përmendet E. Rama, si i interesuar për të fituar kapital politik për zgjedhjet dhe i vihet shenja edhe presidentit Topi, që mund t’i dilte para së keqes, ka edhe komente të tjera që implikojnë Topin drejtpërdrejt. Ambasadori amerikan ka folur troç për një celulë antiamerikane, në të cilën ka gisht edhe presidenti. Zotëria i Bulevardit, ka dashur ta sfumojë këtë cilësim të tijin, kur nuk ia arriti qëllimit që celula e bulevardit të dilte e suksesshme. Megjithatë, sipas këtij komenti, jo më kot Edi udhëhoqi më 21 janar kolonën e demonstruesve nga rruga e Elbasanit, duke kaluar para Ambasadës Amerikane. Një sfidë për ambasadorin amerikan me synimin që, “me miqtë e tij në Uashington dhe në Nju-Jork, të arrinte ta largonte ambasadorin”. Komenti përfundon se “tani që kjo nuk ndodhi, Topi bën të penduarin, sepse nuk ia doli që të zëvendësohej ambasadori aktual me një ambasador tip Uithers-i dhe orvatet, tanimë, të distancohet nga celula e bulevardit” .
Sidoqoftë, ky version kërkon prova të mëtejshme. Por jo rrallë ndodh që “ku â fjalë nuk asht pa gjâ”!
Tani, ruajna Zot, duhet të jemi syçelët edhe ndaj celulave të cilat nuk janë gjë tjetër veçse të varianteve komuniste. Ato paturpësitë e zijafeteve të Pezës, me autorësinë vetjake të E. Ramës, pjellin edhe monstra komuniste antidemokratike.