Berisha: Unaza verilindore Valbonë - Librazhd përfundon brenda vitit të 100 Vjetorit të Pavarësisë

Kryeministri Sali Berisha inspektoi sot, ecurinë e punimeve në rrugën Librazhd – Fushë Studen, me gjatësi 41 kilometra dhe investim me vlerë 2.8 miliardë lekë. Kjo rrugë lidh Librazhdin me Ostrenin dhe është pjesë e unazës verilindore të vendit. Aktualisht po punohet në dy segmente, përkatësisht me gjatësi 10.5 kilometra dhe 30.5 kilometra.
Pasi u informua nga zbatuesit e projektit për fazat e tij, Berisha u shpreh se së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i segmentit Ostren - Ura e Cerenecit, me gjatësi 17 kilometra, i cili përmbyll unazën verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd.
Në një prononcim për mediat, kryeministri Berisha tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e saj të mëdha ekonomike, së pari turistike, por edhe potenciale të tjera minerare, bujqësore dhe të shumëllojta të kësaj zone. “Rruga që ndërtojmë - u shpreh Kryeministri - është një nga segmentet më kryesorë të unazës verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd, për të vazhduar më tej me unazën Juglindore që fillon në Librazhd, Pogradec, Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Siç e shihni, ne po vazhdojmë me intensitet më të madh se kurrë ndërtimin e një infrastrukture moderne, të denjë për Shqipërinë vend i zhvilluar. Rrugët e të gjithë këtyre zonave dhe në tërësi rrugët e Shqipërisë kanë qenë në të vërtetë rrugë të mundimshme. Ne po i kthejmë ato në rrugë moderne, të cilat krijojnë korridore të reja energjish të fuqishme të tregut, por i bëjnë shqiptarët krenarë me çdo metër katror të këtij vendi, i bëjnë shqiptarët të njohin potencialet e jashtëzakonshme të vendit të tyre dhe ta duan atë shumë më tepër”. Kryeministri Berisha tha se rruga është e kontraktuar deri në Ostren dhe së shpejti do të kontraktohen 17 kilometrat e fundit të saj Ostren - Ura e Cerenecit dhe në këtë mënyrë, unaza verilindore Valbonë - Librazhd përfundon brenda vitit të 100 vjetorit të pavarësisë. “Nuk ka shpërblim më të madh për këta banorë, se sa të gëzojnë këtë infrastrukturë. Është edhe një mirënjohje për Skënderbeun, i cili bëri shumë beteja në këto male për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve”.
Gjatë inspektimit të rrugës, në zonën e njohur si Shkëmbi i Lunikut, Berisha u ftua të shtypë butonin e detonimit për hapjen e terrenit nga një masiv shkëmbor, për të mundësuar avancimin e rrugës.
Duke përgëzuar ekipin e inxhinierëve dhe punëtorëve për përkushtimin dhe punën e madhe që po bëjnë, kryeministri tha se kjo trajektore shkurton nga 71 kilometër në 58 kilometër distancën. “Duhet të jemi realistë, - theksoi Kryeministri - se zonat në të dy anët e kësaj rruge janë zonat me infrastrukturë më problematike. Por, siç e shihni, ne po ndërtojmë aksin kombëtar të tyre, ndër më të mirat. I garantoj banorët se një e nga një, komunat e tyre do të zbresin me rrugë të asfaltuar në rrugën kombëtare. Kjo zonë deri në Ostren është një zonë me infrastrukturë shumë të rrënuar, por të cilën ne do ta ndërtojmë dhe shndërrojmë në një nga infrastrukturat më moderne. Ju e patë, këta janë njerëz jashtëzakonisht punëtorë, të frymëzojnë me punën e madhe që bëjnë dhe rrugët, të cilat janë baza e zhvillimit, shtojnë edhe më shumë dashurinë për këto zona dhe për të gjithë Shqipërinë”.
Më pas, Kryeministri Berisha u ndal në komunën e Stëblevës ku u takua dhe me banorë të kësaj zonë.