Retro/Histori: 12 tetor 1960 Këpuca e Hrushovit
Kur Lorenzo Sumulong, delegati i Filipineve, e akuzoi Bashkimin Sovjetik për politikë koloniale në Europën Lindore, Nikita Hrushov, udhëheqësi komunist i pranishëm në sallë hoqi këpucën dhe e përplasi mbi tavolinë në shenjë proteste. Ishte 12 tetori i vitit 1960 në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Saktësisht bëhet fjalë për sesionin e 902-të plenar të mbajtur në New York. Udhëheqësi i zemëruar sovjetik i ra me këpucë tavolinës gjatë fjalimit te delegati filipinas, i cili tha se Bashkimi Sovjetik e kishte kapërdirë Europën Lindore dhe i kishte mohuar popujve të saj “ushtrimin e të drejtave qytetare e politike”. Megjithëse të gjitha palët bien dakord se Hrushovi u tërbua nga fjalimi i Sumulong-ut dhe protestoi me zë të lartë, dëshmitë e të pranishmëve ndryshojnë tek ajo se deri ku shkuan veprimet e udhëheqësit komunist dhe nuk ka rekorde fotografike të besueshme të përplasjes së këpucës mbi tavolinë.