Retro/Histori: 25 gusht 1920 Beteja e Varshavës
Beteja e Varshavës ishte vendimtare në luftën polako-sovjetike. Lufta filloi pak pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 dhe zgjati deri në nënshkrimin e Traktatit të Rigës, që u dha fund përleshjeve mes Polonisë dhe Rusisë në vitin 1921. Luftimet në Betejën e Varshavës u zhvilluan nga 12 deri më 25 gusht 1920, teksa trupat e Ushtrisë së Kuqe të komanduara nga Mikhail Tukhaçevski iu afruan kryeqytetit polak dhe kështjellës së Modlinit. Më 16 gusht trupat polake të komanduara nga Jozef Pilsudski kundërsulmuan nga jugu, duke e ndërprerë sulmin e armikut dhe detyruar forcat ruse që të tërhiqeshin në kaos në drejtim të Lindjes. Dëmet ruse përllogariteshin në 10 mijë të vrarë, 500 të humbur, 30 mijë të plagosur dhe 66 mijë robër krahasuar me nja 4 mijë e 500 polakë të vrarë, 10 të zhdukur dhe 22 mijë të plagosur. Para fitores polake në Vistula, si bolshevikët ashtu dhe shumica e ekspertëve të huaj e konsideronin Poloninë në prag të humbjes. Fitorja dramatike dhe e papritur e polakëve i gjymtuan forcat bolshevike. Në muajt pasardhës disa fitore të tjera të trupave polake shpëtuan pavarësinë e Polonisë dhe çuan te Traktati i Paqes ndërmjet Rusisë sovjetike dhe Ukrainës sovjetike, duke i siguruar kufijtë lindorë të Polonisë për njëzet vitet e ardhshme.