E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Edukata është një “ fonksion social”

Edukata asht veprimi që ushtron breznija e ma të mëdhejvet mbi breznin’e atyneve që nuk janë pjekë edhe për jetën shoqënore. Kjo ka për detyrë t’i zgjojë e t’i kthjellojë fëmisë nji gjëndje politike në tanën e saj, si edhe rrethi i veçantë, për të cilin asht premë ai veçanisht. Del prej këtij përkufizimi se edukata qëndron në një socializim metodik të brezit të ri... Ky përkufizim i edukatës na lejon të zgjidhim lehtazi çashtjen, kaqë të rrahun e të kundrështueme, të detyrës e të së drejtës që ka Shteti në punë t’edukatës. Për kundra këtyneve kanë vu të drejtat e familjes. Fëmija, thonë, asht i prindërvet ma parë: Këtyne pra u përket të drejtojnë, si e kuptojnë ata, shtjellimin e tij menduer e moral. Edukata kuptohet atëhere si nji gja krejt private dhe familjare. Kur mirret para sysh kjo pikëpamje, natyrisht që e shpien në minimum ndërhyrjen e Shtetit në kët punë. Duhet, thonë, që Shteti të jetë vetëm ndihmës e zavendës i familjes. Kur s’asht e zonja familja ta bajë detyrën e saj, asht e natyrshëme që duhet me e marrë Shteti barrën e edukatës. Gjithashtu e natyrshëme asht që ky t’ja bajë familjes detyrën ma të lehtë, tue vu në dispozicion të saj shkollat, ku munden, po deshën, me i dërgue fëmijt e tyne. Duhet që Shteti të mbyllet vetëm në këta kufij e të mos guxojë me ba asnji veprim pozitiv, për t’i dhanë djemënisë nji drejtim të caktuem.

Duhet atëhere që roli i Shtetit të mbetet krejt negativ. Në qoftë se edukata ka ma së parit nji funskion kolektiv, sikurse u munduem me e caktue punën, në qoftë se kjo ka për qëllim t’adoptojë fëminë mbas rrethit shoqënuer, ku asht premë të rrojë ai, asht e pamundun që të mos interesohet shoqënija për nji të tillë veprim. Si mundet me ndejë jashtë në kët punë shoqënija, kurse ajo asht strumbullari, rreth të cilit edukata duhet të drejtojë veprimin e sajë? Vetëm Shtetit i përket t’ja kujtojë pa-pra mësuesit, cilat janë idetë, cilat janë ndjenjat, që duhet t’i nguliti fëmisë, për ta vu në harmoni me rrethin, në të cilin duhet të rrojë. Në qoftë se Shteti nuk do t’ishte gjithmonë aty pranë e nuk do të mbikqyrte, që ta detyronte veprimin pedagogjik t’ushtrohej mbas njij drejtimi social, atëherë nevojisht do t’ja lëshonte rrugën çdo besimi të veçantë, dhe shpirti i math i atdheut do të përçahej e do të mrrinte në nji mori të palidhun shpirtnash të vegjël, të coptuem e në grindje njeni me tjetrin. Nuk mund të veprohet ma mirë e ma me të plotë kundra qëllimit themeluer të çdo edukate. Duhet ta dajmë: në qoftë se e çmojmë të qenmen e shoqënisë, duhet që edukata t’u sigurojë qytetarëvet nji bashkim të mjaftueshëm idesh e ndjenjash, pa të cilat shoqënija asht e pamundun; e që të mund të japi ajo kët përfundim, nuk duhet që të lëshohet krejt në dorë të njerëzvet të veçantë. Kur asht edukata një funksion krejt social, Shteti nuk mundet që të mos interesohet për të. Përkundrazi çdo gja që asht edukatë duhet të jetë nën veprimin e tij.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›