E Diel, 1 Nëntor 2026

Reuters: Berisha premton amnisti fiskale përpara zgjedhjeve lokale

Agjencia e njohur shkruan në lidhje me deklaratat e Berishës sot se po përgatit një draft për të falur gjobat e biznesit dhe taksat e papaguara si dhe për të amnistuar plotësisht asetet e padeklaruara.

Reuters

Një amnisti e tillë është diskutuar prej rreth dy vitesh, por ideja duket se ka fituar terren përpara zgjedhjeve lokale të majit si një mënyrë për të fituar votues, veçanërisht nga bizneset e vogla në vendin e varfër me tre milion njerëz.

Do isha i lumtur nëse do aplikonim një amnisti fiskale për të gjitha bizneset, përjashto ato të lidhura me pushtetarë e ish- pushtetarë. Këto biznese nuk do përfshihen në amnisti, tha Berisha në një mbledhje qeverie.

Megjithatë një lëvizje e tillë do të kërkojë tre të pestat e votave në parlament. Kjo nuk do jetë e mundur pa mbështetjen e opozitës socialiste, e cila ka refuzuar të që japë votën për ligjet që kërkojnë më shumë se një shumicë të thjeshtë derisa qeveria të pranojë të hetojë zgjedhjet e vitit 2009.

Berisha ka thënë se ka mbledhur 5.2 miliard dollarë më shumë nga vitet 2004- 2008 në krahasim me katër vite më parë, kjo falë strategjisë së tij të taksave të ulëta.

Berisha tha se ka udhëzuar Ministrinë e Financave të përgatisë draftin për të falur gjobat dhe pagesat e vonuara si dhe një projekt për një amnisti më të gjerë. Bizneset duan që qeveria të pranojë të legalizojë asetet e fshehura dhe pasuritë e padeklaruara, një lëvizje, që sipas ekspertëve mund të sjellë rreth 4 miliard dollarë në ekonominë qendrore.

Ne mendojmë se është totalisht e papranueshme që mbi njëzet vjet të ndryshimeve të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka implementuar asnjë falje fiskale, tha Gjergj Buxhuku, administratori i Konfindustria, një shoqatë biznesesh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›