E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penalizohen 11 subjekte në tregun e Kombinatit

09/03/2011  Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokon 8 dyqane mishi, peshku, byreku

Bllokohet aktiviteti i 8 dyqaneve që tregtonin jashtë kushteve higjieno-sanitare në tregun e përzier në Kombinat, ndërsa tre janë penalizuar me nga 500 mijë lekë gjobë për etiketim të parregullt. Pas ngritjes së shqetësimit nga ana e kryetares së Njësisë Bashkiake Nr. 6, Luzhiana Abazaj Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ngritur një grup pune në bashkëpunim me Drejtorinë rajonale të Tiranës për verifikimin e gjendjes. Shkresa i është dërguar më 15 shkurt ministrit të MBUMK-së, Genc Ruli, me shqetësimin se “në tregun e përzier” në Kombinat tregtohen produkte ushqimore jashtë kushteve higjieno-sanitare krahas tregtimit të artikujve industrial.

Ndërhyrja

Grupi inspektoi operatorët e biznesit në dy tregjet kryesore të Kombinatit, tregun tek rruga “Hamdi Pepa”, si dhe tregun e përzier në ish- Kombinatin e Tekstileve. Këto tregje menaxhohen pjesërisht nga njësia bashkiake nr. 6 dhe pjesërisht nga Bashkia e Tiranës. “Kushtet higjieno-sanitare në këto tregje janë larg standardeve të kërkuara. Në pjesën më të madhe ambientet janë të papërshtatshme për tregtimin e produkteve ushqimore. Mungon uji i rrjedhshëm, drenazhimi dhe tualetet në ambientet publike të këtyre tregjeve. Këto tregje janë të mbuluar në mënyrë jo efektive për ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të produkteve ushqimore. Për këtë përgjegjësinë e ka si Bashkia e Tiranës, ashtu dhe Njësia Bashkiake Nr. 6 që i menaxhon këto tregje”, - thekson njoftimi i AKU-së.

Masat e marra

Biznesi “D&A/shitje me shumicë e ushqimeve” në rrugën “Hamdi Pepa” është gjobitur me 500 mijë lekë për shkak se është gjetur duke riambalazhuar vetë produktin pa etiketë, si dhe tregton produkte të paetiketuara në gjuhën shqipe, apo nuk plotëson kushtet higjieno-sanitare, duke shkelur nenin 23 (Kushte të papërshtatshme të higjienës) dhe nenin 36 (Për etiketim të parregullt), sipas ligjit 9863 "Për ushqimin". Subjekti “Nektar-Milk” tregtim me shumicë prodhime ushqimore në rrugën “Hamdi Pepa” për shkak të riambalazhimit të produktit pa etiketë, tregtimit të produkteve të paetiketuara në gjuhën shqipe, si dhe kushteve higjieno-sanitare të papërshtatshme për të tregtuar ushqim të sigurt, është gjobitur me 500 mijë lekë. Subjekti Jashar Garunja për tregtim produktesh shtazore ka kushte të papërshtatshme për të tregtuar produkte shtazore, ndërsa produktet e subjektit “CLASS” janë pa etiketë dhe datë kadence, si dhe nuk disponon certifikatë veterinare të produkteve të magazinuara. Për këto arsye është penalizohet me 500 mijë lekë. Ndërkaq, grupi i punës ka bllokuar aktivitetin për 8 subjekte të tjera, të cilat nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare dhe nuk kanë pasur lavamanë me ujë të rrjedhshëm dhe të ngrohtë. Këto janë subjektet Hasan Çela tregtim peshku në tregun "Kombinat", Eduart Koçia, tregtim bulmeti në tregun "Kombinat", Irena Xhengo, tregtim mishi në tregun "Kombinat", Gjylsine Murati, tregtim bulmeti në tregun "Kombinat", Natasha Mullai, byrektore në tregun "Kombinat", Mirela Xhepa, tregtim mishi në tregun "Kombinat", Elton Kolezi, tregtim produktesh me origjinë shtazore në tregun "Kombinat", si dhe Tonin Sinani, tregtim peshku në tregun "Kombinat". Këto subjekte duhet të plotësojnë kushtet e tregtimit, në mënyrë që të rikryejnë aktivitetin e tyre, sipas kushteve ligjore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›