E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reuters pasqyron përmbytjet në Shkodër

Situata e rëndë e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës është pasqyruar edhe nga mediat ndërkombëtare. Agjencia prestigjoze e lajmeve "Reuters", në një kronikë të saj, shprehet se qeveria shqiptare po këshillon banorët e fshatrave të ndryshme në rajonin e Shkodrës që të braktisin shtëpitë e tyre, pasi më shumë se 750 shtëpi janë përmbytur. Përmbytjet, vijon Reuters, janë shkaktuar nga reshjet e shumta të shiut dhe dëborës në ditët e fundit. Sipas Reuters, situata është përkeqësuar nga hapja e portave të emergjencës në disa hidrocentrale në veri të vendit. Sipas Reuters, në këtë zonë po vazhdon evakuimi i banorëve nëpër konvikte shkollash dhe hotele, por disa refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë, duke qëndruar në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që disa nga banorët kanë humbur të gjitha orenditë e shtëpisë. Banori i fshatit Obot, Pjetër Zef Gocaj shprehet për Reuters se ai ka humbur gjithçka nga përmbytjet.
"Unë kam humbur shtëpinë, placket, ushqimin për bagëtitë. Nuk më ka mbetur asgjë", shprehet banori i fshatit Obot, Pjetër Zef Gocaj.
Fermerët lokalë thonë se ata duhet të kompensohen për të gjitha humbjet.
"Unë kam humbur të gjitha prodhimet bujqësore dhe po i kërkoj kompënsim qeverisë, sepse ata po bëjnë para duke shitur energjinë elektrike dhe janë të detyruar të kompensojnë të gjitha humbjet e mia", thotë fermeri Jak Pema. Reuters iu refeohet edhe mediave shqiptare, kur thotë se sipas tyre, dëbora e madhe që ka rënë 24 orët e fundit mund ta përkeqësojë situatën e krijuar nga përmbytjet në ditët në vijim, veçanërisht në veri të vendit. Reuters iu referohet sërish autoriteteve shqiptare kur thotë se ata mund të detyrohen t'i evakuojnë me forcë nëse do të jetë e nevojshme, banoët që nuk pranojnë të largohen nga shtëpitë e tyre të mbuluara nga uji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›