Braçe, akuza Topallit për vizitën në Zvicër
Socialistët akuzojnë Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për shpërdorim të fondeve shtetërore për udhëtimet jashtë shtetit. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erjon Braçe, në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se, "sot Kuvendi nuk punon, sepse kryetarja e Kuvendit, Jozefina Çobaj, nuk ndodhet në Shqipëri, në krye të një tabori me deputetë të maxhorancës, thjesht të maxhorancës, dhe punonjësve të administratës së Kuvendit. Zonja Topalli ndodhet në një tjetër vizitë turistike në Zvicër prej dy ditësh. Kjo është e disata herë që Kryetarja e Kuvendit mbyll Kuvendin për të ikur jashtë shtetit, në udhëtimet e saj turistike", deklaroi Braçe. Për PS-në, kryeparlamentarja ka kryer prej tre vjetësh mbi 700 mijë km udhëtime në Evropë, në Azi, në Afrikë, në Arabi, në Amerikë, nga llogaria e shpenzimeve të saj nga paratë publike të shqiptarëve që derdhen. "Vetëm bileta e saj e udhëtimit të sotëm në Zvicër kushton 700 euro, ose sa 7 pensione pleqërie në qytet, ose sa 14 pensione pleqërie në fshat, ose sa 15 pensione minatorësh që rrinë atje përjashta dhe presin të mbarojë udhëtimin turistik Jozefina Topalli", theksoi Braçe. Por zyra e Kryetares së Kuvendit ka përgënjeshtruar qëndrimin e mbajtur nga numri dy i grupit të PS-së, duke e cilësuar si gënjeshtrën e radhës. "I bëjmë të ditur Erjonit, se Zvicra nuk është Lapardhaja, por është një vend mik, që u rendit ndër të parët në njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe me një standard jashtëzakonisht të lartë ekonomik, me të cilin duam të punojmë. Sqarojmë Erjonin se kjo është vizita e parë zyrtare e realizuar në këtë vend. Theksojmë se shpenzimet e qëndrimit të delegacionit shqiptar janë mbuluar nga pala zvicerane, pa marrë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve. Së fundi, dëshirojmë t'i kujtojmë zotit Braçe, se ka mbaruar koha e izolimit; jetojmë në kohën e globalizmit", thuhet në njoftimin për median. b.h