Betonizimi i Tiranës, krijohet bordi i lëvizjes qytetare
Aleanca për Hapësirat Publike krijon bordin prej 25 anëtarësh, i cili do të iniciojë një lëvizje qytetare për mbrojtjen e hapësirave publike. Aleanca miratoi dhe një rezolutë për t'i bërë thirrje ndalimit të betonizimit të kryeqytetit. Alarmi i dhënë për këtë kërcënim mblodhi dje në një takim përfaqësues të shoqërisë civile. Takimi është zhvilluar nga Aleanca për Hapësira Publike, një lëvizje e krijuar pikërisht për mbrojtjen e hapësirave publike të kryeqytetit nga betonizimi. Në këtë takim referuan disa nga figurat më të njohura si analistët Artur Zheji, Andrea Sefani, Ardian Klosi, por edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme në vend, si Sazan Guri, Altin Goxhaj, Kozara Kati. Këtë takim e bëri edhe më të vlefshëm pjesëmarrja e artistit të njohur Reshat Arbana, i cili paraqiti opinionet e tij si një qytetar i thjeshtë. Takimi është hapur nga përfaqësuesi i Aleancës për Hapësirat Publike, Sazan Guri, i cili vuri theksin në zvogëlimin e hapësirës publike dhe hapësirave të gjelbërta në këto ditë. Më pas fjalën e ka marrë analisti Artur Zheji, sipas të cilit, sot në kryeqytet është bërë dhe vazhdon të bëhet një krim i madh urbanistik, një betonizim dhe mbipopullim i Tiranës, i cili është i vështirë që të riparohet. "Kërcënohet ekzistenca jonë reale dhe ky është thelbi i kërkesës sonë, që duhet të bllokohet çdo lloj ndërtimi eventualisht sepse mbingarkesa e pushtimit të zonave të tjera urbane, të atij pak gjelbërimi që ka mbetur, është një mëkat i patolerueshëm", tha Zheji. Më pas, në emër të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, u denoncua nëpërmjet 11 pyetjeve të hapura i gjithë trukimi i jurive "ndërkombëtare" të bashkisë që i hapin rrugë pallatizimeve të qendrës së Tiranës, Parkut të Liqenit, nëpërmjet subjekteve të huaja që dukshëm kontrollohen nga kryetari i bashkisë. Andrea Stefani në këtë takim deklaroi se, "jam dakord për caktimin e një moratoriumi, jo për ndërtimet në tërësi, po për zonat e kërcënuara. Do të shpresoja edhe një strategji gjelbërimi që të ketë bashkia", vijoi ai.