E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksitë e verdha, sot protestë masive në kryeqytet

Shoqata e taksive i kërkon institucioneve shtetërore marrjen e masave për t'i dhënë fund informalitetit


Taksistë të licencuar nga e gjithë Shqipëria protestojnë sot para Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës kundër konkurrencës së pandershme që u bëhet nga taksitë e palicencuara.


Kjo është protesta e radhës e paralajmëruar qysh dy muaj më parë nga shoqata e taksive, nëpërmjet të cilës taksitë e verdha i kërkojnë për të disatën herë institucioneve shtetërore marrjen e masave për t'i dhënë fund informalitetit.


Gjatë një dalje publike, ditën e djeshme taksistët theksuan se objektivi i parë i kësaj proteste është mbrojtja e taksistëve të licencuar nga ata që janë të palicencuar, pra lufta ndaj informalitetit, i cili po falimenton këtë biznes. Sipas tyre, në kushtet e një konkurrence të pandershme, ata e kanë të vështirë që të mbijetojnë.


Një nga argumentimet se përse realizohet kjo protestë, taksistët radhisin taksat dhe çdo detyrim tjetër ndaj shtetit shqiptar, ndërkohë që taksitë e palicencuar me ngjyrë të verdhë nuk paguajnë asnjë taksë.


"Ne i kërkojmë policisë së shtetit dhe policisë bashkiake që të respektojnë ligjin. Të sigurojnë punën tonë dhe jetën e qytetarëve", është shprehur kreu i shoqatës se taksive, Gëzim Bardhi.


Një tjetër kërkesë e taksive të verdha është anulimi i vendimit të Ministrit të Transporteve datë 25.04.2008. Sipas tyre, ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme pa pyetur grupet e interesit dhe ka sjellë liberalizimin total të licencave të shërbimit taksi. Taksistët u shprehen se vendimi është në kundërshtim me standardet europiane, të cilat kanë përcaktuar një taksi për një mijë banorë.


"Me paturpësinë më të madhe, përgjigjja e vetme formale deri në këtë moment ka qenë që ky vendim, është një vendim politik, i cili ngelet i pakuptimtë derisa është në kurriz të biznesit tonë dhe në kurriz të qytetarëve", u shpreh Bardhi. Gjatë protestës së sotme taksistët do t'i kërkojnë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës ndalimin e dhënies pa kriter të licencave të taksive.


Ndër të tjera, taksistët i kërkojnë Bashkisë së Tiranës të bëjë një studim për të kuptuar me gjuhën e shifrave se sa është numri i licencave që ndihmon në transportin publik të qytetarëve të kryeqytetit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›