E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucionarët egjiptianë përkrahin pavarësinë e Kosovës

Nga Express më 20 shtator 2011 në ora 14:15

Këshilli i Sekretariatit të Revolucionit në Egjipt, përmes një deklarate për media ka bërë të ditur se këshilli dhe populli i Egjiptit njeh pavarësinë e Kosovës, ndonëse kjo njohje nuk del zyrtarisht nga Qeveria e Përkohshme në Egjipt.
“Vendimi për pavarësinë e Kosovës ka qenë i ngulitur në zemrat tona madje para shpalljes së tij, dhe ne si popull i Egjiptit të lirë e njohim Kosovën si shtet mik të pavarur edhe nëse kjo njohje nuk po del zyrtarisht nga qeveria e tanishme e përkohshme”, thuhet në këtë deklaratë.

Në deklaratë përmendet vizita e Ministrit të Punëve të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në Egjipt.

“Vizita e Ministrit Hoxhaj te Sheshi Tahrir ishte mesazhi më i fuqishëm për liri. Pavarësisht ndryshimit të regjimeve dhe qeverive, Sheshi Tahrir do të njohë gjithmonë Kosovën shtet të pavarur dhe të lirë”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë theksohet se revolucionarët e Egjiptit, ashtu siç aspirojnë që të jenë të parët në njohjen zyrtare të Kosovës, aspirojnë gjithashtu për konsolidimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve me popullin kosovar, duke dëshiruar progres për të dy popujt.

“Republika e Kosovës është e pranishme në zemrat e popullit egjiptian, i cili nuk ka harruar fotot e masakrave, të cilat i ka përjetuar populli kosovar në periudhën 1998-1999, dhe nuk ka harruar fjalimet raciste të presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, kundër vëllezërve tanë në Kosovë”, thuhet në këtë deklaratë, që është shpërndarë në të gjitha mediet në Egjipt dhe në botën arabe.

Aty po ashtu theksohet se gjatë qëndrimit të tij në Kajro, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është nderuar me një çmim, ku është e shkruar njohja e pavarësisë së Kosovës nga revolucionarët.

“Revolucionarët e Egjiptit kanë nderuar Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, me një çmim. Më parë, ky çmim i është dhënë Këshillit Transitor në Libi. Me këtë çmim, pritet të nderohen edhe shumë personalitete të tjera ndërkombëtare”, thuhet në këtë deklaratë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, javën e kaluar ka zhvilluar një vizitë zyrtare tre ditore në Kajro, ku është takuar me liderët kryesorë politikë, kandidatët kryesorë për presidentë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të klerit fetar në Egjipt. Të gjithë udhëheqësit egjiptianë kanë shprehur vullnetin dhe bindjen e plotë se Egjipti, pas zgjedhjeve demokratike që pritet të mbahen së shpejti, do të njohë zyrtarisht shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›