E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Duro: Shkarkimi? Ishin vetëm 4 javë…

SHKRUAN: Jeton Selimi 13-10-2011 14:46

Pas disfatësh me Laçin, presidenti Agim Zeqo e kishte etiketuar Skënderbeun si të “sëmurë me grip”. Dhe “kura” e tij nuk vonoi të vinte. Pas thuajse një jave, ai merr vendimin për të shkarkuar trajnerin Shpëtim Duro dhe në vend të tij solli Stanislav Levi, çekun me eksperiencë të madhe në futbollin gjerman, i rekomanduar nga kapiteni i kombëtares, Altin Lala. Por koha në të cilën u bë prezent vendimi i tij solli një reagim në media. Fakti se shkarkimi i trajnerit kampion u bë nëpërmejt një telefonate dhe prezantimi i Levit vetëm pak orë përpara ndeshjes së kombëtares kuqezi ndaj Rumanisë, solli dyshime se Zeqo ka dashur ta fshehë pak këtë lëvizje duke e eklipsuar nën zhurmën e përfaqësueses. Vetë Duro nuk kërkon t’i hedhë benzinë zjarrit dhe bën çmos që të shmangë polemikën, por në ato pak fjali vërehet qartë zhgënjimi i tij. “Nuk dua ta komentoj – nis të përgjigjet nëpërmjet telefonit Shpëtim Duro, por më pas lëshon fjalitë që nxjerrin në pah gjendjen e tij emocionale-. Ishte një vendim i bordit, një vendim nga presidenti Zeqo. Ata menduan për më të mirën. Megjithatë… kishin kaluar vetëm 4 javë kampionat. Unë nuk dua të bëj polemika, por po ua lë juve gjykimin.”

Të martën, ishte presidenti Zeqo, që në konferencën për shtyp ku prezantoi Stanislav Levin si trajner të Skënderbeut, dha detajet e shkarkimit të Duros. “Pas disfatës me Laçin u mblodhëm të gjithë donatorët dhe vendosëm që të ndryshonim diçka tek ekipi dhe ajo ishte ndryshimi i menjëhershëm i trajnerit. Diçka nuk po shkonte mirë dhe në pamundësi për të ndryshuar lojtarët, vendosëm të sjellim një trajner të ri për ekipin. Trajnerin Duro e kam njoftuar sot (të martën) me anë të telefonit, sigurisht që ai më mirëkuptoi pas rezultateve jo të mira që kishte arritur ekipi. Ne i jemi mirënjohës për kontributin që Duro dha për titullin gjatë sezonit të kaluar. Menduam të sjellim një frymë të re, një metodë të re, vrull të ri në ekip. Sigurisht që e kam pohuar dhe më parë se Skënderbeu ishte me grip. Por në këtë rast me grip nuk ishte vetëm trajneri po të kishte mundësi edhe në ekip do kishim bërë mjaft ndryshime,” deklaroi presidenti Zeqo duke paralajmëruar në një farë mënyre edhe ndryshime të mëdha që në merkaton e janarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›