Trajneri i ri, Duka me lupë në dorë
Vërshëllima e trefishtë e kryesorit lituanez që sinjalizoi përfundimin e ndeshjes Shqipëri-Rumani 1-1, sinjalizoi edhe përfundimin e aventurës kuqezi të Josip Kuzhes. De juro ai është ende në krye të detyrës së tij. Ka ende dy muaj kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit, por duket se presidenti Duka ka vendosur që t’ia dhurojë dy miqësoret e muajit nëntor, atë kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë, trajnerit të ri, njeriut që duhet të përgatisë skuadrën kuqezi për edicionin e ri eliminator në kuadër të Kupës së Botës Brazil 2014. Vetë presidenti Duka nuk ngurroi që një ditë përpara sfidës së fundit në grup kundër Rumanisë, të shprehte opinionin e tij. Në fjalët e njëshit të futbollit shqiptar, u pa fare qartë se marrëdhia FSHF-Kuzhe kishte mbërritur në një “dead end” dhe se ai po bënte gati piketat për emrin e ri. Dy janë pistat: trajner i huaj ose një prej ish-lojtarëve më të mirë të dekadës së fundit që janë duke ushtruar detyrën e trajnerit ose që punojnë në sektorit teknik në klubet e huaja. “Trajneri? Natyrisht që jam për një kanditat të huaj. Megjithatë, ka disa emra që kanë dhënë shumë për këtë kombëtare dhe që s’mund të mos merren në konsideratë”, shprehet Duka. “Besnik Hasi, është një ish-kapiten dhe figura e tij është shumë e respektuar. Vata, Strakosha apo Bledar Kola mund të jenë gjithashtu alternativa të perspektivës. E rëndësishme është të krijojmë vazhdimësi me njerëzit e duhur,” u shpreh presidenti Duka në fjalën e tij. Gjithsesi ai nuk kërkon të nxitohet. Për të dhënë një emër ka ende kohë në dispozicion dhe presindeti i FSHF-së kërkon që ta shfrytëzojë kohën në maksimum.
Kuzhe
Por nëse Kuzhes ende nuk i ka përfunduar kontrara, si ndihet ai vetë? Në deklaratat e fundit për shtyp, ai është shprehur në mënyrë melankolike. Flet si një ish, ndonëse pranon se do të diskutojë me presidentin Duka në ditët në vijim. Për të mos shkuar më larg, mjafton prononcimi i tij pas përfundimit të 90 minutave me rumunët për të kuptuar gjendjen e tij shpirtërore. “Sigurisht që erdha me ndjesi të mira në Shqipëri. Mendoj se pas një fillimi të mirë në pjesën e parë, pasuan probleme në pjesën e dytë, por gjithmonë kam kërkuar nëpërmjet punës sime, referuar sezonit, pikët për kualifikim, pavarësisht se gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. Rinovimi? Sigurisht që gjatë 10 ditëve të ardhshme, do bisedoj me presidentin Duka për këtë çështje. Për momentin edhe unë nuk mund të përgjigjem sepse nuk jam i kthjellët në këtë pikë për të treguar saktësisht se çfarë duhet të bëj”.
Tifozët
Por edhe tifozët nuk kanë ngurruar që të japin mendimin e tyre dhe këtë e bënë nga shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”. Një pjesë e mirë e tifozëve të pranishëm, një numër vërtet i vogël në krahasim me ndeshjet e mëparshme kanë mbështetur të martën mbrëma trajnerin e Shqipërisë, Josip Kuzhe për një mandat të dytë. Tifozët kanë thirrur në momente të ndryshme të lojës në kor emrin e trajnerit kroat, që sipas të gjitha gjasave drejtoi për herë të fundit Shqipërinë. “Faj Kuzhe? Jo”, shkruhej në një pankartë të tyre.
21 ndeshjet kuqezi
të Josip Kuzhes
Zyrtare
3 shtator 2010
Rumani – Shqipëri 1-1
7 shtator 2010
Shqipëri – Luksemburg 1-0
8 tetor 2010
Shqipëri – Bosnje 1-1
12 tetor 2010
Bjellorusi – Shqipëri 2-0
26 mars 2011
Shqipëri – Bjellorusi 1-0
7 qershor 2011
Bosnje – Shqipëri 2-0
2 shtator 2011
Shqipëri – Francë 1-2
6 shtator 2011
Luksemburg – Shqipëri 2-1
7 tetor 2011
Francë – Shqipëri 3-0
11 tetor 2011
Shqipëri – Rumani 1-1
Miqësore
10 qershor 2009
Shqipëri – Gjeorgji 1-1
12 gusht 2009
Shqipëri – Qipro 6-1
17 nëntor 2009
Estoni – Shqipëri 0-0
3 mars 2010
Shqipëri – Irlandë V 1-0
25 maj 2010
Mali i Zi – Shqipëri 0-1
2 qershor 2010
Shqipëri – Andorrë 1-0
11 gusht 2010
Shqipëri – Uzbekistan 1-0
17 nëntor 2010
Shqipëri – Maqedoni 0-0
9 shkurt 2011
Shqipëri – Slloveni 1-2
20 qershor 2011
Argjentinë – Shqipëri 4-0
10 gusht 2011
Shqipëri – Mali i Zi 3-2