E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni i markës



10 vjet pas luftës dhe në përvjetorin e saj të parë të pavarësisë, Kosova ende nuk ka ngjarje të vërteta prezantuese që mund të heqë zvarrë vëmendjen e mediave dhe pastaj të vinte politika. Ky është një nga qëllimet pse prej muajsh është ideuar një nga festivalet më të mëdha në rajon të kinematografisë botërore dhe dje në Prishtinë është përcaktuar përfundimisht data e mbajtjes së edicionit të parë “PriFilmFest”.

Entuziazmi patriotik i organizatorëve shkon në faktin se me këtë festival, Prishtina, Kosova të ketë një emër dhe një markë në botë dhe nuk do të jetë politika kryefjala për këtë vend, shpallur i pavarur një vit më parë.

“Me “PriFilmFest”, Prishtina dhe Kosova do të mirëpresë kulturat e botës për 7 ditë dhe kjo është shumë e rëndësishme për një markë të re të vendit, sepse ne do të jemi në gjendje të tregojmë se jeta jonë nuk është e gjitha rreth politikës”, - thuhet në sitin e këtij festivali, duke iu përgjigjur kështu një nga pyetjeve më kardinale, themeluese për një veprimtari të tillë.

Kështu, dje në një konferencë për shtyp u bë e ditur nga organizatorët se nga 22 shtatori deri më 30 shtator, në Prishtinë, do të mbahet edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të filmave artistikë të metrazhit të gjatë, tanimë i pagëzuar si “PriFilmFest”. Festivali do të ketë pesë çmime, të cilat do të shkojnë për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, aktorin/aktoren më të mirë dhe çmimin special të jurisë, që do të ketë si shpërblim statujën “Hyjnesha e artë”, e punuar nga skulptori Luan Mulliqi.

I quajtur "Prishtina Internacional Film Festival", kjo pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme që do të mbahet në muajin shtator e që do të identifikojë kulturën kosovare. Motoja e këtij festivali është “PriFilmFest sjell kinemanë botërore në Prishtinë”, i cili pritet të sjellë filma të njohur botërorë dhe autorët e tyre.

Drejtorja e festivalit, Vjosa Berisha, tha se tani është kompletuar edhe bordi i festivalit, kryetare e të cilit do të jetë aktorja britanike me famë botërore, fituese e çmimit “Oscar” dhe “Golden Glob”, Vanesa Redgrev. Berisha shpreson edhe në përkrahjen financiare të institucioneve të vendit për mbajtjen me sukses të këtij festivali.

“Ende nuk është definitiv. Është duke lëvizur buxheti, varet shumë se sa do të kemi përgjigje nga sponsorë të ndryshëm, se sa do të mundet të zhvillohet, por festivali patjetër do të ketë një pamje dinjitoze”, - thotë Berisha.

Anëtari i bordit, regjisori Isa Qosja, tha se nga të gjitha vendet në rajon, vetëm Kosovës i ka munguar një festival i tillë. Sipas tij, kultura shqiptare e Kosovës do të ketë ngjarjen më të madhe kinematografike, në të cilën janë përzgjedhur për pjesëmarrje filmat më të mirë botërorë.

“Komunikimi i tyre me krijuesit tanë, me mjedisin dhe me një festival që fillon të ecë, do të jetë i rëndësishëm dhe ecja e parë për ne ka rëndësi të madhe. Kjo do të jetë një shkollë e veçantë dhe një hap përpara në kinemanë në Kosovë dhe në përgjithësi në kinemanë shqiptare”, - ka thënë regjisori Qosja.

Skulptori i njohur, Luan Mulliqi, dizajnues i statujës “Hyjnesha e artë”, që do të jetë simbol i festivalit, e cila reflekton simbolin e qytetit të Prishtinës, e punuar në ngjyrë ari me një vijë moderne, tha se pas një pune gjashtëmujore është arritur në përfundimin që të punohet një statujë që simbolizon trashëgiminë tonë kulturore.

Organizatorët kanë bërë të ditur se në festival pritet të jenë të ftuar rreth 12 filma të njohur botërorë. Ndër vendet pjesëmarrëse në festival, me filmat e tyre do të jenë të pranishëm: Gjermania, Franca, Turqia, Kosova, Shqipëria, Anglia, Afganistani, Bosnja, Maqedonia, SHBA-ja etj. Aplikimi për pjesëmarrje në festival do të jetë i hapur deri në datën 10 gusht. Ndërsa bëhen të ditur edhe anëtarët e bordit që do të merren me organizimin e festivalit, të cilët janë: Isidore Codron, producent nga Afrika e Jugut, producent i filmit “Hotel Rwanda”, fitues i “Oscar”; Omer Kaleshi, piktor me famë botërore, me prejardhje shqiptare, që jeton në Francë; David Gothard, regjisor nga Britania e Madhe, personalitet me kontakte të mëdha në botën e teatrit dhe kinemasë; Isa Qosja, regjisor i njohur nga Kosova; Eqrem Basha, shkrimtar e publicist i njohur nga Kosova; Agim Zatriqi, drejtor i përgjithshëm i RTK-së; Luan Mulliqi, skulptor-dizajnues i kupës së festivalit “Hyjnesha e artë” dhe Shkumbin Istrefi, aktor i njohur e producent nga Kosova.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›