E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi i procesit për “Bandën e Durrësit”, gjyqtari përzë gazetarët nga gjyqi



Hermetizohet Gjykata e Krimeve të Rënda, mediat fillojnë t’i përzënë nga salla e gjyqit. Mbyllja e komunikimit mes medias dhe gjykatës nuk ka ardhur vetëm për shkak të gjyqit të bujshëm të “Bandës së Durrësit”, apo mospranisë së gazetarëve dhe familjarëve në momentin kur do dëshmojë i penduari-i pandehur Adriatik Coli, por për shkak të faktit se procesi gjyqësor është duke dështuar dhe kreut të trupës gjyqësore, Gurali Brahimllari, duket se prej dy vitesh i ka dalë situata nga dora. Dhe, për të “fshehur” dështimin e këtij procesi apo dhe debatet e shumta midis tij dhe prokurorëve apo dhe avokatëve, gjyqtari ka vendosur që gazetarët të dalin nga salla e gjyqit gjatë zhvillimit të seancës për të pandehurit e “Bandës së Durrësit”, edhe kur aty shqyrtojnë vetëm përjashtime apo zëvendësime avokatësh. Ky vendim vjen në një kohë kur mediat gjatë përcjelljes së informacionit për këtë proces gjyqësor, raportojnë dështimet e radhës, numrin e seancave të shtyra apo dhe duke raportuar shkaktarët e këtyre shtyrjeve të njëpasnjëshme. Madje, konkretisht vendimi për të përzënë median vjen një seancë pasi media denoncoi zvarritjen e pashpjegueshme të këtij procesi, apo dhe kërcënimet për vrasje nga ana e të pandehurve për prokurorët, gjyqtarët, por edhe avokatët. Ky vendim i gjykatës kundërshtohet nga pala mbrojtëse, të cilët shprehen se për ta nuk është ndonjë gjë e re ajo që do thotë i penduari, pasi dëshminë e tij e kanë në dorë. Gjithashtu, - shprehen ata, - për median nuk janë bërë pengesë as në procese të tjera të ngjashme me të pandehur, siç është “Banda e Lushnjes” dhe dëshmia e të penduarit Petrit Liçi, ku media ka qenë e pranishme. Procesi i cili prej muajsh është vetëm në pritje të dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli u zhvillua sërish me dyer të mbyllura. Edhe dje, procesi gjyqësor ka vijuar dështimin e radhës, për shkak të përjashtimit nga mbrojtja të avokatëve të Lul Berishës, Indrit Taullaj dhe disa të pandehurve të tjerë, të cilët u zëvendësuan me avokatë të caktuar nga shteti, duke shënuar seancën e 81-të të shtyrë që prej qershorit të vitit 2007. Por, si kurrë ndonjëherë, masat e sigurisë dhe numri i forcave policore ka qenë shumë i madh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Shkak janë bërë kërcënimet e një jave më parë drejtuar prokurorëve dhe gjyqtarëve nga i pandehuri Indrit Taullaj, si dhe kërcënimet drejtuar avokatëve nga i penduari Adriatik Coli. Ky i fundit detyroi avokatët dje të kërkojnë mbrojtje nga gjykata pasi ndihen të kërcënuar, kërkesë që nuk u pranua nga kryesuesi i togave të zeza. Argumenti shpjegues i gjyqtarit Brahimllari për mospranimin e kësaj kërkese, sipas avokatëve, ka qenë fakti që kërcënimin e Colit nuk e ka dëgjuar vetë dhe se nuk është bërë kur po zhvillohej seanca.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›