Tahiri: “Berisha të kërkojë falje publike për kriteret e paplotësuara të vizave”
Pas entuziazmit të maxhorancës mbi propozimin për liberalizimin e vizave ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, duke u shprehur se kryeministri Sali Berisha duhet të kërkojë falje publike për kriteret e paplotësuara. “Jozefina Topalli, spikerja më abuzive e Parlamentit, në shërbim të manipulimit dhe korrupsionit parlamentar, me përgjegjësi kryesore për cenimin e demokracisë parlamentare dhe shtetit ligjor, si dhe Lulzim Basha, ministri më i kërkuar nga Drejtësia për vjedhjen korruptive të pasurisë publike, filluan të shfaqen mburravecë para kamerave kur sot duhet të mbajnë përgjegjësi më shumë se kurrë pse ëndrrën shumëvjeçare të shqiptarëve për të lëvizur pa viza e kanë kthyer në makthin pa mbarim që ende vazhdon e shtyhet pa afat”, - u shpreh Tahiri. Propozimin për liberalizimin e vizave Tahiri e ka cilësuar si thirrje të përsëritur nga partnerët ndërkombëtarë për të përmbushur kriteret që kanë mbetur. Meritën e vetme për heqjen e vizave Tahiri ua ka deleguar vetëm qytetarëve shqiptarë. “Medaljet e suksesit sot nuk i meriton askush nga maxhoranca, aq më pak spikerja abuzive e Parlamentit apo ministri i kërkuar nga Drejtësia. Medaljen e vetme e meritojnë qytetarët shqiptarë që kanë pritur e vazhdojnë të presin të duruar këtë maxhorancë të paaftë e të paditur që edhe liberalizimin e vizave e kthen në luftë për pushtet brenda radhëve të veta, siç ka kthyer vendin në plaçkë për t’u grabitur, duke i lënë shqiptarët të fundit në Europë për lëvizjen e lirë e për gjithçka tjetër”, - tha Tahiri. Sipas tij, Topalli dhe Basha janë servilë që i bëjnë qejfin kryeministrit, se propozim i KE-së për heqjen e vizave është meritë e kësaj qeverie. “Nuk ka shqiptar sot që të mos e kuptojë se jemi të fundit në Europë në pritje të liberalizimit të vizave, ashtu siç të gjithë e kuptojnë se gara e Topallit dhe Bashës ‘kush ngazëllehet më shumë për t’i bërë qefin doktorit’, është shenjë dëshpërimi për çka duhet të kishim arritur kohë më parë e që sot shqiptarët e presin ende për dështim të vetë maxhorancës”, - u shpreh deputeti Tahiri.
29 Maj 2010