E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi: E parealizueshme që Serbia me staf të saj të ruajë manastiret

Prishtinë, 16 gusht – Ministri i Punëve të Brendshme të republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi ka deklaruar se është e pamundshme që Serbia me personel të saj të ndihmojë ruajtjen e manastireve dhe objekteve tjera me rëndësi historike në Kosovë.

Duke reaguar në deklaratën e nënkryeministrit dhe ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, i cili dje në Graçanicë ka thënë se Serbia është e gatshme të ndihmojë me staf të saj në ruajtjen dhe sigurimin e manastireve dhe objekteve me rëndësi historike në Kosovë, Rexhepi ka deklaruar se kjo është vetëm “dëshirë e parealizueshme e individëve”.

“Ne kemi policinë tonë, e cila do t’i ruajë ato manastire dhe begatinë kulturore të Kosovës”, ka thënë Rexhepi për radon Kontakt Plus të Mitrovicës.

Për deklaratën e Daçiqit se Serbia ka të drejtë të dërgojë personel të saj në Kosovë, e drejtë kjo me rezolutën 1244 të KS, ministri i Brendshëm kosovar tha se në rezolutës askund nuk shkruan se në Kosovë duhet të vijë policia serbe”.

“Ekziston vetëm klauzola në të cilën thuhet se në qoftë se KFOR-i vlerëson se është e nevojshme të vijë dikush..., por kjo është punë e përfunduar, sidomos pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së në Hagë për pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›