E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Kriminelëve tu tregohet rruga

Mitrovicë -Kryetari i Komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi ka deklaruar se është koha të veprohet me shpejtësi, për tu treguar kriminelëve se nuk janë të pa prekshëm. “Policia duhet të arrestojë personat e identifikuar që shkaktojnë incidente dhe trazira në veri dhe t'i nxjerrë ata para drejtësisë"-tha Rexhepi, duke theksuar se kjo do të ishte një mesazh për të gjithë keqbërësit pa dallim të përkatësisë etnike. Gjatë takimit të sotëm të strukturave të Sigurisë u theksua se situata në qytetin verior të Kosovës është e qetë, përkundër disa incidenteve të vogla.

Rexhepi theksoi se grupet e organizuara serbe, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës, kërkojnë vigjilencë të strukturave të sigurisë, ndërsa ka dënuar shpërthimet që kanë ndodhur të shtunën në mbrëmje në zonën e "Tre rrokaqiejve", ku për fat nuk ka pasur të lënduar.
Kreu i Mitrovicës, ka përkrahur masat që po merren nga policia për ruajtjen e qetësisë.

"Patrullat shumetnike krijojnë besim te popullata dhe si të tilla ne i përkrahim me qëllim që të krijohet një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë"-theksoi Rexhepi, duke përshëndetur ndihmën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për kompensimin e dëmeve nga incidentet e mëhershme në Lagjen e Doktorëve si dhe ndarjen e një fondi për rindërtim për lagjen Kroi i Vitakut.

Shefi i Degës së Doganave të Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Bashkim Çitaku, tha se pas përmirësimit të infrastrukturës në ato dy pika kufitare pritet të fillojë puna normale e doganave. Ai tha se ka të dhëna se ditëve të fundit ka rënie te kontrabandës në veri. Sipas tij, kjo është rezultat i rritjes së numrit të pjesëtarëve të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në dy pikat kufitare.

Per sa i përket gjendjes së sigurisë, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it thanë se gjendja është e qetë dhe se ata janë duke bashkëpunuar mirë në mënyrë që situata të mbahet nën kontroll.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›