Rexhepi: Plan operativ kundër zgjedhjeve serbe
PRISHTINE- Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi ka deklaruar se Policia e Kosovës është duke përgatitur planin operativ për të penguar organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e vendit tonë.
Ministri Rexhepi ka thënë se do të ftohen edhe EULEX-i dhe KFOR-i që të ndihmojnë realizimin e këtij plani, pasi me organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe situata mund të tensionohet.
Derisa Serbia pretendon se do ti mbajë zgjedhjet, atëherë ne si institucione të Kosovës duhet të jemi të gatshëm të reagojmë dhe jo vetëm ditën e zgjedhjeve. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike, do të ndalojmë hyrjet e personave të paautorizuar në kufij dhe materialeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet, tha ministri për emisionin Debat të RTK.
Sipas Rexhepit, KFOR-i nuk ka detyrime ndaj zgjedhjeve, por nëse grupet radikale serbe përpiqen të organizojnë tubime elektorale nxitëse, atëherë forcat paqeruajtëse nuk do të mund të qëndrojë duarkryq, por duhet të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët.
Rexhepi po ashtu ka thënë se qasja ndaj veriut duhet të ndryshojë, pasi situata nuk mund të ndërrohet me deklarata nga distanca, duke shtuar se si ai ashtu edhe kryeministri Thaçi janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e serbëve të veriut, por jo si kryetarë komunash, sepse ata janë jolegjitimë.