E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Të arrestohen personat që provokojnë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi kërkoi sot shtimin e masave të sigurisë për shkak të provokimeve të vazhdueshme nga strukturat paralele serbe në veri të qytetit të ndarë. Në takimin e Komitetit të Sigurisë, Rexhepi theksoi se javën e kaluar në veri kanë ndodhur disa incidente që kanë shqetësuar banorët, por që për fat të mirë kanë kaluar pa pasoja në njerëz.

“Shpërthimet në Lagjen e Boshnjakëve dhe grafitet provokuese të shkruara në shtëpitë e shqiptarëve janë bërë me qëllim të tensionimit të gjendjes”, tërhoqi vëmendjen ai. Kryetari i komunës së Mitrovicës dënoi këto incidente dhe kërkoi nga organet përgjegjëse që të marrin masa për arrestimin e personave që janë duke ndikuar në tensionimin e situatës.

Rexhepi tha se masat e sigurisë duhet të shtohen edhe për shkak të paralajmërimeve të liderëve serbë për 17 marsin, njëvjetorin e protestave të dhunshme në veri. Nexhip Gashi, nga Policia Rajonale, përveç incidenteve në veri të Mitrovicës, përmendi edhe rastin e djegies së një veture të policisë në qytezën veriore Zubin-Potok.

Ai tha se gjendja është e qetë, por këtë javë masat e sigurisë janë më të larta, në mënyrë që situata të jetë nën kontroll. Si masë konkrete ai theksoi shtimin e numrit të patrullave në lagjet në veri të qytetit të Mitrovicës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›