E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezar Taçi, paratë e ARMO-s, nga Azerbajxhani


Paratë për blerjen e kompanisë ARMO nga Rezart Taçi kanë ardhur në mënyrë të dyshimtë nga një bankë azerbajxhanase. Ky është konkluzioni paraprak i hetimit disa mujor të prokurorisë shqiptare në lidhje me shitjen e kompanisë shtetërore të naftës. Ndërkohë, pjesa tjetër e parave ka ardhur nga Zvicra dhe Italia. Burimet e prokurorisë pohuan se përveç procedimit penal ndaj Rezart Taçit dhe dy truprojave të tij Bledar Lilos e Jurgen Selfos, njësia e task-forcës kundër krimit ekonomiko-financiar vazhdon hetimet për procedurat e ndjekura të shpalljes së fituesit të tenderit për blerjen e 85 % të aksioneve të kompanisë shtetërore ARMO.
Hetimi ka nisur në fund të korrikut të vitit 2008 dhe është përqendruar në verifikimin e të gjitha procedurave të shitjes së kompanisë shtetërore të naftës (ARMO) kundrejt vlerës së 125 milionë dollarëve amerikanë.
"Me shpalljen e fituesit të blerjes së 85 % të aksioneve shtetërore në kompaninë ARMO, kompania që u rendit e dyta në shpalljen e fituesve ka bërë një kallëzim në prokurori, për "pabarazi në tender" duke denoncuar mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese, procedurat e ndjekura nga kompania fituese si dhe favorizimin që i kanë bërë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kompanisë fituese. Me marrjen e këtij kallëzimi, prokuroria ka filluar verifikimet dhe hetimet paraprake, duke regjistruar edhe procedimin penal pa emër të personit të dyshuar. Për këto dyshime janë kryer një sërë procedurash hetimore duke sekuestruar edhe një sërë dokumentesh në cilësinë e provave materiale, si dhe janë shqyrtuar procedurat e garës, shpallja e fituesit, negocimi i kontratës, pagesa, transferimi i pronës etj.
Gjithashtu janë pyetur persona të ndryshëm, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfaqësues të kompanive fituese dhe humbëse e shumë verifikime të tjera bankare"-thuhet nga prokuroria. Edhe pas kryerjes së të gjitha këto procedurave, sipas akuzës, nuk është arritur ende në një konkluzion përfundimtar në lidhje me çështjen hetimore, duke bërë që hetimet të zgjerohen më tej. Gjithashtu, këto burime konfirmuan se kompania fituese e përfaqësuar nga personi tashmë në kërkim, Rezart Taçi, tre muaj pas shpalljes së tij fitues ka shlyer detyrimet e blerjes së 85 % të aksioneve të kompanisë ARMO, duke i depozituar brenda dy ditëve në thesarin e shtetit 125 milionë dollarë.
"75 milionë dollarë janë transferuar në Bankën e Shqipërisë nga një llogari bankare e Bankës Qendrore e shtetit të Azerbajxhanit nëpërmjet "Deuchbankes" gjermane. Dy shuma të tjera të konsiderueshme, rreth 14 milionë dollarë janë transferuar në Bankën e Shqipërisë nga Bankat të nivelit të parë në Itali dhe Zvicër dhe shuma e fundit prej 36 milionë dollarë është paguar nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri"- thuhet nga prokuroria në lidhje me pagesat e bëra nga kompania fituese e 85 % të aksioneve të kompanisë ARMO.
Ndërkohë, sipas akuzës, Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me firmën konsulentë amerikane "Patton Boggs" dhe një studio ligjore shqiptare kanë hartuar në fillim të këtij viti një dokument të emërtuar "Lista e blerësve potencialë të ARMO" sh. a., e azhurnuar deri më 15 janar 2008. Pas shqyrtimit të dokumentacioneve përkatëse për këtë blerje, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përzgjodhi katër nga 26 kompanitë konkurruese. Në përfundim të tenderimit, ky komision shpalli fitues kompaninë "Amra Oil sh.a" dhe konsorciumit "Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group" si blerës të 85 % të aksioneve shtetërore të kompanisë ARMO me vlerë prej 125 milionë euro që më pas u konvertuan në dollarë amerikanë si dhe 240,5 milionë dollarë janë parashikuar të investohen në 4 vitet e ardhshme në ndërmarrjen e përpunimit të naftës ARMO.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›