E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ratifikimi i “Lisbonës”, Berisha: Për skeptikët, përgjigjja më e mirë



Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje ratifikimin e Traktatit të Lisbonës nga të gjitha vendet anëtare të Unionit, përfshirë tashmë edhe Çekinë, duke e cilësuar ditë historike si dhe përgjigjen më të mirë ndaj skeptikëve të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sipas tij, për të gjitha kombet që aspirojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, ndër ta dhe kombi shqiptar, kjo përbën një ngjarje madhore dhe shumë të mirëpritur, por edhe një përgjegjësi më të madhe nga ana jonë për të qëndruar në lartësinë e detyrave që kërkon ky proces. Kryeministri vuri në dukje se miratimi i Traktatit u jep përgjigje të gjitha hezitimeve, procesi i zgjerimit nuk ka më një efekt negativ në ecurinë e Traktatit dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Sipas tij, performanca jonë mbetet përcaktuese në procesin e integrimit. Berisha përmendi: “Ne kemi paraqitur kandidaturën për të fituar statusin e kandidatit. Në samitin e fundit të Partive Popullore Evropiane, unë mora garanci se e vetmja çështje që ka mbetur, është problemi i konstituimit të Parlamentit gjerman. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjermane, e cila vlerësimin e Traktatit e ka gjetur në përputhje me Kushtetutën gjermane, por kërkohet që qeveria të konsultohet me Parlamentin për të gjithë hapat e vendimet që ajo merr e që kanë lidhje me Bashkimin Evropian, me zgjerimin e tij dhe politika të tjera në tërësi”. Berisha informoi qeverinë se Kancelarja Merkel i dha garanci të plotë se pas konstituimit të Parlamentit, do të bëjë çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje në kohën më të shkurtër. “Ne gjithashtu, duhet të përpiqemi me çdo kusht, me seriozitetin më të madh t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, të përgatitemi për përgjigjen më të saktë të mundshme të pyetësorit, që do të ketë me mijëra pyetje, të ecim, ashtu siç po ecim, me seriozitet shumë të madh në plotësimin e të gjitha kërkesave për heqjen e vizave. Ky proces ka ecur me seriozitet të madh dhe jam i bindur se e gjithë problematika do të trajtohet po kaq seriozisht sa është ajo e heqjes së vizave, të cilën shqiptarët mezi e presin”, - deklaroi z. Berisha. Po dje, edhe Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti përfundimin e procedurave të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës pas nënshkrimit të tij nga ana e Presidentit të Republikës Çeke z. Vaclav Klaus. Sipas MJ-së, hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës shënon fillimin e një epoke të re dinamike për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke rritur njëkohësisht efikasitetin e Unionit dhe peshën e tij në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›