Ruçi: Vrasja e Xhindit, politike. Policia: Na jep informacionin
Kur kanë kaluar disa muaj nga vrasja e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, e ka cilësuar këtë vrasje politike dhe ka hedhur akuza ndaj policisë për moszbardhjen e ngjarjes, por e shpejtë ka qenë përgjigjja nga Policia e Shtetit, e cila i ka kërkuar informacione Ruçit nëse ai ka për këtë çështje. “Përgjigjet pa përgjigje të pushtetit të Sali Berishës deri më sot kanë hedhur në tavolinë të organeve kompetente të gjitha pistat e mundshme. Po sipas verdiktit të tyre, të gjitha nuk qëndrojnë. Aktualisht ka mbetur vetëm një pistë: Fatmir Xhindi është vrarë vetëm për arsye politike. Është pista politike, sepse pas 6 muajsh pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, veprimet hetimore rezultojnë tërësisht të stopuara. Është pista politike, pasi Policia e Shtetit nuk është duke kryer asnjë veprim hetimor për zbulimin e autorëve dhe gjetjen e provave”, - deklaroi dje Ruçi. Por, policia i përgjigjet me një deklaratë ku sqaron pozicionin e saj në këtë çështje. “Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit po vazhdon hetimet me intensitet të lartë, duke analizuar me kujdes të gjitha informacionet e marra për këtë çështje së bashku me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe po zbaton të gjitha detyrat e deleguara nga ana e prokurorëve. Policia nuk u është shmangur asnjëherë përgjegjësive të saj, duke zbatuar me korrektësi detyrimet që i ngarkohen asaj nga ligji për Policinë e Shtetit. Për këto arsye, i sugjerojmë zotit Gramoz Ruçi që në funksion të zbulimit të së vërtetës, të gjithë informacionin e nevojshëm që disponon, ta vërë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda, si autoriteti përgjegjës që drejton dhe heton këtë çështje”, - thuhet në reagimin e forcave të rendit. PS nuk kishte hedhur më parë këtë akuzë, edhe pse deputeti i saj, i cili nuk do të rikandidohej më në zonën e tij elektorale, u vra vetëm një muaj e gjysmë para zgjedhjeve. Në atë kohë, PS ia besoi policisë e prokurorisë hetimin, duke mos hedhur tym.