PS: U bëmë gazi i botës. Berisha, dorëzo Taçin
Partia Socialiste ka ndjekur me shqetësim dhe indinjatë situatën më të fundit në lidhje me Rezart Taçin. Është e pajustifikueshme që, në një kohë kur Sali Berisha dhe Ministri i tij i rendit bëjnë be rrufe për sukseset e tyre hipotetike në luftën kundër krimit, policia që ata drejtojnë nuk është ende në gjendje të sqarojë opinionin publik nëse Rezart Taçi është ende në Shqipëri apo ka kaluar kufijtë e vendit tone, si dhe në çfarë pike janë hetimet mbi këtë ngjarje. - thuhet ne nje deklarate leshuar sot nga PS.
Sipas PS, Shqipëria është bërë gazi i botës me skandalin e radhës që ka për protagonist të përkëdhelurin e Sali Berishës dhe Familjes së Tij, Rezart Taçin, njeriun që brenda natës u kthye nga taksapaguesin më të madh të shtetit, në një të kërkuar ordiner që i shmanget ligjit.
Njeriu që nëpërmjet një procedure të errët dhe korruptive e për llogari të familjes në pushtet privatizoi ARMO, që detyroi Sali Berishën dhe ministrat e tij të krijonin monopolin më të madh në tregun e shitjes së karburantit nga babëzia për të përfituar në kurriz të shqiptarëve, njeriun që hapi fushatën elektorale të Sali Berishës duke paguar mbi 3 milion Euro për të sjellë ekipin e Milanit në Tiranë, njeriu që sot rezulton ende në kërkim nga policia e shtetit për rrahjen barbare të një gazetari.
Opinioni publik sot kërkon të dijë ku është Rezart Taçi, njeriu në kërkim policor por që në të njëjtën kohë dërgon deklarata për median nga kompjuteri i zyrës së tij? A është ende në Shqipëri Rezart Taçi? Apo është arratisur? Ka kaluar në doganën shqiptare apo ka marrë rrugën maleve? Ka përdorur identitetin e tij apo identitet të rremë? Nëse është këtu, përse nuk arrestohet? Nëse është larguar, përse nuk shpallet në kërkim ndërkombëtar?
Skandalet e mëparshme të Sali Berishës me sekserët e tij dhe vënia në përdorim e të gjithë makinerisë shtetërore në funksion të shërbëtorëve të Familjes, na japin të gjithë të drejtën për të dyshuar se me të njëjtin skenar siç u ndihmua sekseri serb Damir Fazlliç, t'i shpëtonte arrestimit të Prokurorisë e të largohej nga Shqipëria, duke penguar me dhunë prokurorët të kryenin detyrën e tyre, Policia e Shtetit është vënë sërish në shërbim të Rezart Taçit duke e ndihmuar të largohet nga Shqipëria ai vetë bashkë me paratë e shqiptarëve. Ky është një dyshim i ligjshëm deri në provë të kundërt.
Segmente të Policisë së Shtetit të kthyera në një bandë me uniformë e të drejtuara nga një Lulëzim Basha i cili fshihet pas imunitetit sepse ai vetë kërkohet nga drejtësia, janë treguar të gatshme për të rrahur e gjakosur qytetarët e pafajshëm të Orikumit vetëm sepse protestuan për të ndaluar vjedhjen e tokës nga një tjetër sekser i familjes, Rrahmani i Shkëlzenit të Saliut, të gatshme për të dhunuar qytetarë të pafajshëm sa herë preken interesat e familjes, dhe së fundi, u treguan të gatshme të ndalonin Policinë Tatimore të bllokonte bizneset e Rezart Taçit, duke shënuar një precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor.
Sot Policia e Shtetit është e pamundur të na tregojë vendndodhjen e Rezart Taçit dhe ecurinë e hetimeve ndaj tij. Kjo jo sepse policia është e paaftë, por sepse për të gjetur Rezart Taçin Policisë i duhet të kontrollojë në zyrën dhe shtëpinë e Sali Berishës, sepse është atje ku fshihet Rezart Taçi dhe i gjithë korrupsioni e paligjshmëria që ai përfaqëson.
Ne i bëjmë thirrje Sali Berishës të dorëzojë para drejtësisë sekserin e tij, Rezart Taçi, që ky Kryeministër të mos japë konfirmimin e tij të radhës se është më i gatshëm të dorëzojë institucionet dhe ligjin për të mos dorëzuar sekserët e familjes. I bëjmë thirrje Sali Berishës të marrë në telefon sekserin e tij dhe protektorët e interesave të familjes dhe ti urdhërojë t'i binden drejtësisë njëlloj si të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi.
Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit, të mos bëhet vegël e interesave të ngushta të pushtetit, por të respektoje ligjin, qoftë dhe në ato raste te cilat bien ndesh me interesat e familjes. Nuk është e largët dita kur të gjithë ata që sot janë vënë në shërbim të familjes duke shkelur ligjin e duke favorizuar korrupsionin dhe dhunën, do të përballen me drejtësinë, sepse askënd nuk mund të gënjejë mendja se Shqipëria e shqiptarët do gjunjëzohen ndaj interesave kriminale të familjes në pushtet.
Ne i bëjmë po ashtu thirrje të gjithë atyre policeve te ndershëm, të cilët besojnë tek ligji dhe tek misioni fisnik që i ka ngarkuar shoqëria, të vazhdojnë të respektojnë detyrën dhe rregullat, si dhe të bëjnë çmos për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të çuar Rezart Taçin përpara drejtësisë.