Ministria e Bujqësisë: “Qumështi ‘Panda’ nga Kina mund të konsumohet”
Instituti Superior i Shëndetit në Romë, Itali, ka njoftuar Ministrinë shqiptare të Bujqësisë se nga rezultatet e analizave të kontrollit të qumështit “Panda”, të importuar nga Kina dhe i pranishëm në tregjet e vendit, është brenda kufirit të përcaktuar nga Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore, (EFSA), dhe produkti është i sigurt për tu përdorur. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, përmes një deklarate, qartësoi edhe njëherë opinionin publik, se strukturat përgjegjëse të dikasterit të Bujqësisë, ndjekin me përgjegjësi të plotë problemet që dalin në tregun e ushqimeve të prodhuara në vend apo të importuara. “Në plotësimin e kësaj detyre ne kemi përgjegjësinë të mbrojmë interesat e shëndetit të konsumatorit, ashtu siç kemi për detyrë ligjore të mos bëjmë diversion dhe të mos godasim padrejtësisht interesat e biznesit qoftë prodhues apo importues”, - citon deklarata.
9 Tetor 2008