E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati i dytë presidencial në SHBA, Obama kryeson sondazhet



Kandidatët për presidentë të SHBA-ve, ai demokrat Barak Obama dhe senatori republikan Xhon Mekein zhvilluan debatin e dytë në Nashvil të shtetit Tenesi. Dy sondazhet e realizuara menjëherë pas përfundimit të tij nxorrën sërish fitues Obamën. Në sondazhin e CNN-së ai fitoi me 54 përqind, nga 32 përqind që mori Mekein. Ndërsa nga sondazhi i CBS-së, 40 për qind e mbështetjes shkoi për Obamën dhe vetëm 26 për qind për Mekeinin. Formati i takimit, i quajtur “Town hall meeting”, në teori duhet të kishte favorizuar 72-vjeçarin republikan megjithatë nuk ndodhi siç ishte parashikuar. Dy kandidatët në këtë takim të radhës shkëmbyen akuza dhe parashtruan politikat e tyre në përgjigje të krizës ekonomike, ngrohjes globale dhe çështjeve të politikës së jashtme. Në debat, Senatori Mekein tha se ka në plan ta zgjidhë krizën duke i dhënë urdhër qeverisë që të rinegociojë kreditë e pashlyera për të ndihmuar amerikanët që të mos u konfiskohen banesat. Senatori Obama i cilësoi problemet financiare si “gjykimi i fundit” për politikat e dështuara të Presidentit Xhorxh Bush, që gëzuan edhe mbështetjen e Senatorit Mekein. Të dy kandidatët parashtruan edhe politikat e tyre për angazhimin amerikan në Irak dhe Afganistan. Zoti Obama theksoi nevojën e një tërheqjeje të përgjegjshme nga Iraku, duke shtuar se Afganistani mbetet fronti kryesor i luftës kundër terrorizmit. Ndërkaq zoti Mekein tha se tërheqja nga Iraku do të çonte në disfatë për trupat amerikane. Ekonomia angazhoi pjesën më të madhe të debatit të mbrëmshëm presidencial. Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me mënyrën më të shpejtë dhe më efektive për të ndalur krizën aktuale të sektorit financiar, Senatori demokrat Obama, foli për nevojën për të ndjekur me kujdes zbatimin e paketës së ndihmave për sektorin financiar duke theksuar se ky ishte thjesht fillimi i politikave që do të ndiqte pasi si president synonte të nxiste rritjen ekonomike duke forcuar klasën e mesme përmes uljes së taksave. Të dy kandidatët shkëmbyen akuza kur erdhi fjala tek qëndrimi i tyre në Senat, para precipitimit të krizës financiare. Zoti Mekein fajësoi pasivitetin e demokratëve, duke veçuar edhe Senatorin Obama, si pengesë ndaj kontrollit mbi kompanitë e kredive. Zoti Obama nga ana e tij nënvizoi se vetë heqja e kontrollit mbi sektorin financiar ishte vepër e republikanëve. Lidhur me politkën e jashtme Mekejn tha se plani i senatorit Obama për të caktuar një datë për tërheqje nga Iraku do të çonte drejt një lufte më të gjerë, në rritjen e ndikimit të Iranit në rajon dhe disfatën e trupave amerikane. Por Obama, nga ana e tij, tha se Iraku nuk kishte të bënte fare me sulmet e 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, dhe ndërsa Amerika përqendrohej tek Iraku, ideatori i sulmeve terroriste, Osama Bin Laden ndodhej tjetërkund. Ai tha se trupat amerikane duhet të tërhiqen me kujdes nga Iraku dhe trupa shtesë duhet të dërgohen në Afganistan. Të dy kandidatët presidencialë ishin të të njëjtit qëndrim se Irani nuk duhet të lejohet të shtjerë në dorë armë bërthamore dhe të dy po ashtu kanë bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve më të rrepta kundër Republikës Islamike.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›